Lidhje

Ndeshja me Serbinë, 3 pikë Shqipërisë


Sot vendimi i Arbitrazhit sportiv në Lozanë. Skuadra shqiptare e futbollit ngjitet në vendin e dytë në grup, së bashku me Danimarkën, me 10 pikë. Rama e Vucic replika ne Twitter

Gjykata e Arbitrazhit sportiv vendosi sot që t’i japë Shqipërisë 3 pikë në tavolinë për ndeshjen e luajtur mes kombëtares së saj të futbollit dhe asaj serbe, tetorin e kaluar në Beograd. Vendimi u prit me entuziasëm në Tiranë, duke qenë se Shqipëria tani ngjitet në vendin e dytë në grup së bashku me Danimarkën, me 10 pikë, dhe si asnjëherë ka shanse për t’u kualifikuar në Europianin e Francë 2016. Ndërsa në Serbi kryeministri Aleksandër Vucic e cilësoi të turpshëm vendimin, duke u përfshirë më pas në një shkëmbim replikash në Tëitter me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Ndeshja me Serbinë, 3 pikë Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Në zyrat e Federatës shqiptare të futbollit, presidenti i saj Armando Duka festoi me shampanjë në përfundim të konferencës së shtypit lidhur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit sportive. Më parë ai ishte pritur me duartrokitje në sallën e konferencës, ku nuk e fshehu se ndjehej i emocionuar, pasi sipas tij “cdo gjë mund të kishte ndodhur. Por e drejta fitoi”, theksoi zoti Duka: “Ky vendim jo vetëm i jep tre pikë Shqipërisë, por jep dhe një mesazh të fortë se futbolli duhet të ndahet nga cdo gjë që nuk ka lidhje me lojën e që dëmton lojën. Kështu që këtë mesazh, sic e marrin tifozët serbë për atë gjendje që shkaktuan në Beograd, duhet ta marrim edhe ne, ne si organizatorë dhe aktorët që do të organizojnë ndeshjen Shqipëri-Serbi, ashtu dhe tifozët”.

Lajmi për vendimin në favor të Shqipërisë, shërbeu për uljen e tensioneve dhe në komisionin parlamentar të ligjeve ku përfaqësuesit e të dy krahëve politik ishin mbërthyer në polemikat e zakonshme. Ata duartrokitën së bashku njoftimin në favor të Shqipërisë.

Vendimi i Gjykatës së arbitrazhit u përshëndet menjëherë në rrjetet sociale nga të gjithë përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës, që nga presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, të cilët uruan kombëtaren e futbollit.

Ndeshja e tetorit në Beograd u ndërpre në fund të pjesës së parë, për shkak të tensioneve të shkaktuara nga tifozët serbë. Ndërsa shfaqja e dronit me hartën e së ashtuquajturës Shqipëri e madhe, përkeqësoi situatën, kur tifozët u derdhën në fushë duke goditur lojtarët e kombëtares shqiptare. Incidentet në fushë u pasuan dhe me një tensionim edhe politik mes Tiranës dhe Beogradit, të cilat shkëmbyen akuza të forta mes tyre.

Edhe vendimi i sotëm i Gjykatës, nuk i shpëtoi ngjyrimeve politike. Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh në Twitter se “Ja cfarë do të thotë drejtësi europian. Tre pikë për kombëtaren kuqezi në Beograd”, pak më vonë, po përmes Twitter-it kryeministri serb Aleksandër Vucic shkruante se “drejtësia evropiane, për të disatën herë u shndërrua në padrejtësi botërore. Ata që shkaktuan incidentin në Beograd u shpërblyen, ndërsa viktima u dënua. Vendimi i gjykatës në Lozanë është turp për drejtësinë dhe një fyerje për njerëzit normal”.

Më pas duke ju drejtuar kryeministrit shqiptar, ai shkruan sërish “Mos u shqetëso Edi Rama, ne do të fitojmë ndeshjen në stadiumin, në zemër të Tiranës, pa dron e pa ndihmën e askujt. Shihemi së shpejti”. Kundërpërgjigja e kryeministrit shqiptar nuk vonoi. “Në Shqipëri, miku im i dashur, kryeministër serb, do të fitojë kush luan më mirë atë ditë, prandaj mos thuaj “Ne do fitojmë” se nuk është në dorën tënde”, shkruan zoti Rama duke e korrigjuar homologun e tij dhe për vendin ku do të luhet ndeshja e kthimit vjeshtën e ardhshme. “Sa për ta ditur, ndeshja do të luhet në Shkodër ku je i ftuar si miku im I nderit, e së bashku të duartrokasim ata që do të fitojnë”, përfundon kryeministri shqiptar.

Me vendimin e sotëm shanset për Shqipërinë janë më të mëdha se kurrë. Praktikisht ajo ka siguruar që të luaj në fazën e play off-it, por tani synimi është kualifikimi direkt. Këtë nuk e fshehu as presidenti Duka, ndërsa i përgjigjej pyetjes për mundësinë e rinovimit të kontratës me trajnerin italian Gianni de Biasi: “Përderisa ne do të shkojmë në Francë edhe De Biasi do të jetë në Francë”

XS
SM
MD
LG