Lidhje

Futbolli turk nën akuza për manipulimin e ndeshjeve

  • Isabela Cocoli

Futbolli turk nën akuza për manipulimin e ndeshjeve

Futbolli turk nën akuza për manipulimin e ndeshjeve

Futbolli në Turqi është bërë objekt i një hetimi policor për manipulimin e ndeshjeve. 60 vetë janë arrestuar në një skandal që ka tronditur vendin. Korrespondenti Dorian Jones njofton nga Stambolli se zyrtarët turq u takuan mbi këtë problem me drejtuesit e UEFA-s në Gjenevë:

Takimi u organizua pas akuzave të shumta për korrupsion në futbollin turk. UEFA kërcënoi se do t’i përjashtonte nga ndeshjet e ardhshme evropiane klubet turke.

Zëvendës Presidenti i Federatës Turke të Futbollit Lutfi Aribogan kryesoi delegacionin që shkoi në selinë e UEFA-s dhe doli nga takimet me bindjen se Turqia gëzon mbështetjen e kësaj Federate:

Zoti Aribogan thotë se UEFA ka besim të plotë në Federatën Turke të Futbollit dhe se të dyja palët kanë rënë dakord mbi mënyrën për të reaguar ndaj situatës.

UEFA ka shprehur shqetësim në rritje, ndërkohë që zyrtarë të lartë të klubeve kryesore turke janë arrestuar gjatë hetimeve të policisë. Gjatë këtij procesi, policia ka identifikuar 19 ndeshje të sezonit të kaluar, që mendohet se janë manipuluar. Javën e kaluar, ekipi Besiktas i Stambollit u kthye në konkurimet për kupën turke të futbollit.

Më parë një lojtar pohoi para policisë se kishte luajtur dobët në finalet e kupës, për të marrë në shkëmbim një kalë race.

Kampionët e ligës, Fenerbahce, përbëjnë shqetësimin më të madh për UEFA-n. Kreu i klubit është aktualisht në burg pas akuzave se klubi kishte manipuluar një numër ndeshjes për të marrë titullin e kampionit.

Gazetari veteran i futbollit Esat Yilmaer, anëtar i Shoqatës Turke të Gazetarëve të Futbollit, thotë se autoritetet mund të kenë arritur ta bindin UEFA-n të mos e përjashtojë klubin nga konkurimi më i rëndësishëm, Liga e Kampionëve:

"Ka shumë pikëpyetje për këtë situateë dhe për momentin federata e futbollit thotë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për t’i ndëshkuar klubet. Deri në momentin kur gjykata të japë vendimin e saj, duhet të presim. Ndoshta është mirë të presim, pasi askush se di kush është me faj e kush jo”.

Çdo çështje gjyqësore pritet të zgjasë 2-3 vjet. Por presioni që i është bërë UEFA-s për të vepruar ndaj futbollit turk mund të vazhdojë të rritet, me zgjerimin e procesit hetimor të policisë.

Trabzonspor, një tjetër klub që do të luajë në Ligën e Kampionëve, është aktualisht nën hetime dhe policia ka arrestuar zyrtarët e lartë të klubit. Skandali ka mbërthyer vendin, thotë gazetari Asli Aydintasbas, i së përditshmes Milliyet.

"Ky skandal është më i rëndësishëm se çdo zhvillim politik që po diskutohet. Kjo është e vetmja temë që po diskutojnë njerëzit. Njerëzit në këtë vend çmenden për futbollin”.

Javën e kaluar mijëra përkrahës të klubit Fenerbahce protestuan para stadiumit të tyre. Demonstrata precipitoi në dhunë, kur disa tifozë u përleshën me policinë, pasi bllokuan një ndër rrugët kryesore të Stambollit. Shumë nga përkrahësit thonë se hetimet ishin një komplot për të dëmtuar klubin e tyre.

Por duke pasur parasysh faktin që shumë prej klubeve administrohen nga biznesmenë të pasur dhe të fuqishëm, dyshimet për manipulimin e ndeshjeve e kanë ndjekur prej vitesh futbollin turk. Me zgjerimin e hetimeve, ndërkohë që policia ka hapur hetime edhe mbi klube të tjera, procesi po shihet si më i njëtrajtshëm dhe po gëzon mbështetje të fortë nga publiku:

Tifozët mblidhen në një kafene të preferuar për të ndjekur ndeshjet e futbollit në televizor:

Tifozi 1: "Ata duhet të sqarojnë çdo gjë. Ne duhet të mësojmë çfarë ka ndodhur. Ata që mund të kenë bërë gjëra të paligjshme duhet të ndëshkohen”.

Tifozi 2: "Do të bëhet më mirë për të gjithë. Nëse e çojnë deri në fund hetimin, çdo gjë do të bëhet e qartë”.

Shpresa të tilla janë me vend, ndërkohë që është shtuar numri i personave të nxjerrë para organeve të drejtësisë me zgjerimin e fokusit të hetimeve.

XS
SM
MD
LG