Lidhje

Fyle: Zgjedhjet të plotësojnë standarte të larta


Komisioneri europian për Zgjerimin në një konferencë për integrimin në Tiranë. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe deputetë të djathtë të ftuar nuk marrin pjesë

Në Shqipëri komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle tha sot se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të arrijnë standarte të një niveli të lartë që të mos kontestohen. Cfare u pa në vitin 2009 nuk duhet të përsëritet, deklaroi zoti Fyle gjatë një konference të organizuar në Tiranë mbi procesin e integrimit. Në këtë takim të hapur ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile, biznesit dhe medias, ra në sy mungesa e politikaneve të shumicës së djathtë në pushtet.
Fyle në Tiranë
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00


Pasi përpjekjet e gjata të Brukselit për t’i dhënë shtysë procesit të integrimit europian të Shqipërisë, dështuan përballë mosmarrëveshjeve të brendshme politike në Tiranë, Komisioni europian duket se po përpiqet që të mbajë të ndezur interesin mbi integrimin përmes aktivizimit të një debati që nxitet nga poshtë, nga aktorë të tjerë si shoqëria civile, biznesi, bota akademike apo media. Në një konferencë të posacme të organizuar sot në Tiranë, ku u prezantua dhe një portal i vecantë interneti i delegacionit të Bashkimit europian në Shqipëri, komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle foli gjatë për përfitimet që Shqipëria do të ketë nëse bën përpara drejt afrimit me Brukselin.

Ai tha se nuk arrinte të kuptonte se si në një vend me mbështetjen më të gjerë të qytetarëve ndaj anëtarësimit në Bashkimimin europian, “ka një politikë kaq të polarizuar dhe një mur të lartë mes asaj që duan qytetarët dhe asaj cka bëjnë politikanët. Konsensusi i gjerë aktual mbi integrimin europian duhet të konfirmohet dhe me vepra. Objektivi i Shqipërisë për integrimin duhet të jetë pjesë e programeve dhe axhendës politike. Ky objektiv i rëndësishëm nuk duhet të bëhet viktimë e politikave të brendshme të partive”.

Komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle evitoi komentet mbi morpërmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë ndaj Brukselit, ndërsa theksoi se një angazhim më i madh do të duhej të realizohet pas zgjedhjeve. “Ka ardhur koha që një numër kërkesash të plotëshen dhe që ky vend të bëhet kandidat për në Bashkimin europian e që qytetarët të përfitojnë të mirat nga hapja e bisedimeve për anëtarësim” tha zoti Fyle duke vënë theksin te rëndësia e standarteve që duhet të plotësojnë zgjedhjet. “Eshtë përgjegjësi e të gjitha partive politike, në qeveri dhe opozitë, por edhe e shoqërisë civile për të kontribuar në menyrë të atillë që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë standarte demokratike me një nivel të lartë, për mos të lejuar boshllëqe që ato të kontestohen. Duke siguruar standarte të larta, Shqipëria do të dërgojë një sinjal të fortë pjekurie dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike dhe stabilitetit”. Sipas komisionerit Fyle ajo cfarë kishte ndodhur pas zgjedhjeve të 2009 nuk duhej të përsëritej më, ndërsa solli në kujtesë së sa e vështirë ishte që pas dy vjetësh vendi të rikthehej në rrugë të mbarë, tha ai.

Komisioneri Fyle këtë herë nuk kishte programuar takime institucionale apo politike. Në konferencë ishin ftuar megjithatë anëtarët e komisionit parlamentar të integrimit e po ashtu dhe ministrja Majlinda Bregu. Por as ajo dhe as parlamentarët e së djathtës nuk u panë të ishin të pranishëm gjatë konferencës. Arsyet mbeten të paqarta dhe nuk dihet nëse ato lidhen me disa qëndrime kritike të komisionerit Fyle si ndaj nismës së qeverisë për një referendum për miratimin e ligjeve të kërkuara nga Brukseli ashtu dhe ndaj deklaratave nacionaliste. Javën e shkuar në një mesazh në Twitter zoti Fyle kishte shkruar me tone ironike se “Shqipëria tregon “kreativitet”, ndërsa pyeste se “A është nacionalizmi, në formën që e dëgjojmë nga Tirana, vërtet i bazuar në vlera euro-atlantike?”.
XS
SM
MD
LG