Lidhje

Fyle jep mesazhe të qarta për rrugën që duhet të ndjekë Shqipëri drejt BE-së

  • Armand Mero

Në Shqipëri Komisioneri europian për zgjerimin dha mesazhe të qarta për rrugën që vendi duhet të ndjekë për të bërë përpara drejt integrimit dhe marrjes së statusit kandidat vjeshtën e ardhshme. Në përfundim të takimit të tij me kryeministrin Sali Berisha dhe vecanërisht gjatë fjalës së tij në parlament zoti Fyle bëri të qartë se nevojiten më shumë përpjekje për përmbushjen e kritereve duke vënë theksin te vazhdimi i dialogut politik, konsensusi në parlament dhe realizimi i reformave kyce që nga ajo elektorale të forcimi i Shtetit të së Drejtës për rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Viti 2011 nuk ishte një vit i mirë përsa i përket rezultateve që duhej të jepte Shqipëria në lidhje me 12 prioritetet kyçe që nxori Komisioni Europian, në opinionin e vet të vitit 2010. Por, tashmë, shoh erën e ndryshimit dhe shpresoj shumë që kjo mundësi, ky shans të kthehet në realitet, më vonë gjatë këtij viti. Mesazhet e shpresës së Komisionerit europian për Zgjerimin Stefan Fyle se Shqipëria i ka mundësitë për të marrë statusin kandidat tetorin e ardhshëm, u shoqëruan edhe me analizën realiste mbi hapat e bërë dhe ato që duhet të ndërmerren duke vënë theksin te nevoja që të ketë “një përpjekje kombëtare për integrimin” ku të kontribuojnë të gjithë aktorët politike dhe shoqëror.


Falë trysnisë nga Brukseli nëntorin e kaluar dy forcat kryesore politike arritën një marrëveshje e cila i hapi rrugë realizimit të reformave të kërkuara. Zoti Fyle foli për “arritje të mëdha” duke shtuar megjithatë në fjalën e tij në parlament se “që të materializohet statusi i kandidatit dhe më pas anëtarësimi nevojiten më shumë përpjekje” duke saktësuar se “nuk ka vend për vetkënaqësi” dhe se progresi i mëtejshëm do të varej nga vetë forcat politike shqiptare. Ai nënvizoi këtu nevojën për “qëndrueshmërinë e dialogut politik, konsensus në parlament për cështje kyce dhe arritjen e rezultateve konkrete dhe të prekshme për reformat që lidhen me Bashkimin europian”.


Per komisionerin Fyle “është vendimtare që Shqipëria ta përdorë mirë kohën e mbetur deri në tetor” kur do të jetë vlerësimi i radhës. Ai vecoi katër fusha “me rëndësi të jashtëzakonshme” sic u shpreh ai.


Së pari, Reforma zgjedhore. “Zgjedhjet si pas standarteve ndërkombëtare mbeten një përparësi qëndrore për Shqipërinë lidhur me aspiratat e saj për në BE”, tha zoti Fyle.Një pikë e dytë ishte sipas tij roli që parlamenti duhet të luaje “për arritjen e marrëveshjeve të duhura, për mbikqyrjen e legjislacionit dhe verifikimin e zbatimit të reformave”. Të drejtat e njeriut ishin një tjetër fushë e rëndësishme e përmendur nga zoti Fyle sipas të cilit “nevojitet të garantohet kuadri i duhur ligjor për një klimë që të respektojë të gjithë pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo orientimit seksual”.


Një vëmendje të vecantë ai i kushtoi forcimit të shtetit të së Drejtës, “përfshirë një sistem gjyqësor të pavarur efikas dhe të përgjegjshëm. Nuk ka kohë për të humbur” tha ai duke shtuar se “Shqipërisa duhet të përqëndrohet në dhënien e rezultateve konkrete vecanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetëm në këtë mënyrë - saktësoi zoti Fyle- mund të largohet perceptimi negativ mbi funksionimin e sistemit ligjor dhe respektin për të drejtën ligjore” duke vecuar nevojën që “të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit në një proces të pandikuar politikisht”.


Ai vlerësoi afrimin e qëndrimit mes palëve në Shqipëri për heqjen e imunitetit por saktësoi se kaq nuk mjafton dhe se duhet nxitur “bashkëpunimi ndërinstitucional mes Prokurorisë dhe Policisë për të krijuar një klime tolerance zero ndaj korrupsionit ku askush- theksoi ai - nuk është mbi ligjin”.


Komisioneri Fyle u shpreh i kënaqur se kishte gjetur mirëkuptimin e palëve në Tiranë për dy cështje. Së pari ai tha se kishte marrë angazhimin si të kryeministrit Sali Berisha ashtu dhe të kryetarit socialist Edi Rama se reforma zgjedhore dhe ajo për rregulloren e parlamentit do të përfundojnë përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit gjë e cila siguron sipas tij që “zgjedhjet presidenciale të jenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemeve, në rast se të gjitha këto punë nuk përfundohen”. Së dyti ai u shpreh i kënaqur edhe për pozicionin, në fakt të avancuar të kryeministrit lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit: “E sigurova Komisionerin se e konsideroj këtë, një proces domosdoshmërisht që duhet të kalojë me negociata, një proces që duhet të respektojë plotësisht frymën e germën e Kushtetutës. Një proces, për të cilin ne do të angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit”.


Nga ana e tij zoti Fyle ju referua po ashtu frymës së kushtetutës për të nënvizuar nevojën që presidenti i ardhshëm të përfaqësojë unitetin e popullit: “Unë nuk kam ardhur në Shqipëri që të jap këshilla, apo leksione për t’ju treguar juve si duhet bërë kjo gjë. Eshte nje proces teresisht i juaji. Nga ana tjetër, unë nuk dëshiroj ta lë këtë rast të më ikë pa ju thënë se ajo që është e rëndësishme është që zgjedhja e presidentit do të thotë se në atë zyrë të vijë dikush, i cili pasqyron qartë frymën e Kushtetutës, por edhe faktin se ai person do jetë dikush që do të përfaqësojë, siç e thotë edhe Kushtetuta, unitetin e popullit”
Kryetari socialist Edi Rama ka kërkuar që bisedimet për presidentin të nisin para se ta hapen procedurat e votimit. Por kryeministri Berisha, i cili tha se e mirëpriste ftesën e zotit Rama, mendon se duhet të respektohet afati kushtetues por duke lënë të hapur që ndërkohë stafet përkatëse të përgatisin terrenin për këto bisedime.

XS
SM
MD
LG