Lidhje

Fyle në Tiranë për Statusin dhe zgjedhjet


Komisioneri europian për zgjerimin takon kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama. “Statusi në dorën tuaj. Zgjedhjet test kyc”.

Zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme sipas standarteve ndërkombëtare dhe përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian ishin dy cështjet që diskutoi sot në Tiranë komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle. AI deklaroi se Statusi i vendit kandidat është i prekshëm dhe i takon udhëheqësve politik shqiptar ta shndërrojnë në realitet, ndërsa i cilësoi zgjedhjet e qershorit si nje test kyc për mirefunksionimin e institucioneve demokratike

Që në mëngjes ndërsa kishte nisur takimet e para me ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian në Tiranë dhe më pas me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu dhe atë të Osbe-së Eugen Wollfarth, komisioneri europian për zgjerimin Stefan Fyle përmes një mesazhi në Twitter do të theksonte se kishte ardhur në kryeqytetin shqiptar “për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, se ç'duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen".



Ai bisedoi gjatë në dy takime të vecanta kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama. Sic do të shpjegonte në përfundim të takimeve përmes një komunikate për shtyp, “zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit” nënvizoi zoti Fyle. Ai u bëri thirrje politikanëve shqiptarë “të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare, të përmirësojnë besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve kundrejt qytetarëve shqiptarë”.

Deri pasdite vonë nga zyra e kryeministrit Sali Berisha nuk pati asnjë njoftim mbi takimin me komisionerin Fyle. Por gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij, kryeministri Berisha duke folur për zgjedhjet dhe ankesae e forta të opozitës për përgatitjet e procesit tha se “Ne kemi të gjitha kushte, infrastrukturën dhe vullnetin e hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Konstatojmë se zoti Rama po përgatit justifikimin e humbjes së radhës”

Në deklaratën e partisë socialiste për takimin theksi vihej gjithashtu te cështja e zgjedhjeve. “Të dy palët u dëgjuan, me shqetësim, për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare. Kryetari Edi Rama paraqiti propozime konkrete, për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve dhe për të siguruar që pas 23 qershorit Shqipëria të jetë e çliruar nga pengesat e mëparshme”, shkruhet në deklaratën në të cilën kishte dhe një fjali sipas së cilës, kryetari Rama dhe komisioneri Fyle folën për fatin europian të Shqipërisë para dhe pas zgjedhjeve.

Në të vërtetë, cështja e integrimit europian dhe përparimi i vendit ishte pjesë e rëndësishme e vizitës së komisionerit Fyle. Në prill pritet që vendeve anëtare t’u paraqitet një raport për ecurinë e secilit vend të Ballkanit perëndimor. Për Shqipërinë mund të ketë një raport, vetëm nëse miratohen tre ligjet e kërkuara nga Brukseli. “Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. U takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet”, ka nënvizuar gjatë takimeve komisioneri Fyle duke bërë thirrje që "i tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi – në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë”. Përvec bisedave me dy udhëheqësit kryesor politik, zoti Fyle pati edhe një drekë pune me presidentin Bujar Nishani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG