Lidhje

Fyle: Shqipëria të përmbushë 12 objektivat

  • Armand Mero

Komisioneri europian për Zgjerimin Stefan Fyle, kërkoi që Shqipëria të cojë më tej përparimin e bërë në përmbushjen e 12 objektivave të përcaktuara nga Brukseli. Zoti Fyle priti në Bruksel ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto dhe vuri theksin te reforma zgjedhore dhe parlamentare duke nënvizuar nevojën e dëshmive të besueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Po dje në Tiranë, shumica dhe opozita miratuan në mbrëmje me konsensus ndryshimet në Kodin Penal si dhe shtynë edhe dy muaj afatin e punës së komisionit të reformës zgjedhore

Në tetorin e vitit të kaluar Shqipëria humbi për të dytën herë radhazi mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin europian. Ngërci i gjatë politik u pa si një pengesë kryesore, ndërkohë që 12 objektivat e përcaktuar nga Brukseli që në 2010 nuk ishin përmbushur. Kjo klime dhe trysnia e drejtpërdrejtë e Komisionit europian bënë që në nëntor shumica dhe opozita të arrinin një marrëveshje për realizimin e disa reformave kyce. Por ecuria e kësaj marëveshje dhe pengesat e herëpashershme që ngrejnë krye dëshmojnë për mosbesimin e thellë që ekziston mes.

Situata e deritanishme dhe hapat e hedhur në këto muajt e fundit ishin në qendër të takimit që komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle pati në Bruksel me ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto. Sipas zyrës së komisionerit për zgjerimin, gjatë takimit zoti Fyle nënvizoi se “një dialog politik konstruktiv do të bëjë të mundur që Shqipëria të japë rezultate konkrete për zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të kaluar, veçanërisht përsa i përket reformës zgjedhore dhe reformës së rregullores së proçedurave parlamentare. Shqipëria – ka vazhduar komisioneri i Zgjerimit -duhet ta çojë më tej përparimin e bërë për përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit, duke vënë theksin në mënyrë të veçantë në krijimin e një historiku të besueshëm në fushën e sundimit të ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit.”

Komisioneri Fyle ftoi Shqipërinë të përqendrohet në reformat gjithëpërfshirëse të cilat janë të nevojshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian duke theksuar se “që të ketë sukses në axhendën e BE-së, për një vend është e rëndësishme që kjo të kthehet ne një axhendë kombëtare, për qeverinë, për opozitën dhe për shoqërinë civile. Një proçes i vërtetë dhe gjithëpërfshirës është çelësi për suksesin e Shqipërisë në përpjekjen e saj reformuese.”, ka përfunduar komisioneri për Zgjerimin.

Ndërkaq dje në mbrëmje, shumica dhe opozita rigjetën konsensusin dhe miratuan ndryshimet në kodin Penal, duke mbyllur kapitullin e ligjeve me tre të pestat, si pjesë e reformave të kërkuara nga Brukseli. Tani pritet që së bashku të shqyrtojnë edhe ligjin për gjykatën administrative, ndërkohë që për komisionin e reformës zgjedhore u miratua edhe një shtyrje prej dy muajsh e afatit të tij. Sipas të gjitha gjasave, do të jenë dy muajt më kritik. Shkëndijat e para mes palëve janë ndezur, aq më tepër që tashmë kanë mbetur për tu shqyrtuar, cështjet me delikate të procesit zgjedhor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG