Lidhje

G7: Sanksione të reja ndaj Rusisë


Grupi i Shtatë ekonomive më të mëdha në botë ka rënë dakord për të "lëvizur me shpejtësi" për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar mbrëmë, vendet e grupit G7 ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, thanë se do të marrin masa për të intensifikuar sanksionet.

Një zyrtar amerikan tha se që nga e hëna mund të fillojë vendosja e sanksioneve të reja kundër Moskës.

Presidenti Barak Obama u tha gazetarëve në Korenë e Jugut se Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë për trajtimin e rolit të Rusisë mbi krizën në Ukrainë.

"Evropianët dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kalibruar sanksionet që mund të jenë pengesë për përpjekjet e rusëve dhe që mbështesin ukrainasit që të lënë të hapur një rrugë për zgjidhjen diplomatike të këtij problemi," tha Presidenti Obama.

Por, zëvendës ministri i jashtëm i Ukrainës, Danylo Lubkivsky tha dje se është i shqetësuar se një përpjekje ruse për pushtim është e pashmangshme. Shqetësimet e tij janë rritur për shkak të stërvitjeve ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit ukrainas.

Përveç kësaj, militantët pro-rusë vazhdojnë të pushtojnë ndërtesat qeveritare në dhjetëra qytete në Ukrainën lindore.


"Ne do të mbrojmë njerëzit tanë nga rreziku dhe nga provokimet e separatistëve pro-rusë, por ne do ta bëjmë këtë në një mënyrë të civilizuar të shekullit të 21 për të shmangur gjakderdhjen," u shpreh ministri Lubkivsky.

Kryeministri i Ukrainës akuzoi Rusinë se ajo dëshiron ta pushtojë Ukrainën "ushtarakisht dhe politikisht", ndërkohë që Kievi dhe Moska vazhdojnë grumbullimin e forcave në afërsi të kufirit të tyre të përbashkët.

Kryeministri Arseniy Yatsenyuk tha në një takim të kabinetit të përkohshëm qeveritar se Moska "dëshiron të fillojë Luftën e Tretë Botërore".
XS
SM
MD
LG