Lidhje

Siria në axhendën e G8s


Udhëheqësit e tetë vendeve më të industrializuara të botës takohen në Britaninë e Madhe të hënën dhe të martën (17 dhe 18 qershor 2013) për takimin vjetor të nivelit të lartë të G8-s për ekonominë dhe çështjet botërore.

Udhëheqësit do të takohen në një vendpushimi buzë liqenit në Irlandën e Veriut. Ata do të diskutojnë gjatë dy ditëve larg demonstratave si ajo që u zhvillua në Londër nga të vetëquajturit ‘anti-kapitalistë’ dhe ajo që u zhvillua në muajin janar në Belfast.

Kjo të kujton se dekadat e tensioneve mes protestantëve dhe katolikëve në Irlandën e Veriut nuk janë zhdukur, por ky nuk është imazhi që Britania do për këtë takim të nivelit të lartë.

Zyrtarët duan diçka të ngjashme me takimin e vitit të kaluar në vendpushimin presidencial amerikan në Kemp Dejvid. Kryeministri britanik, David Cameron, do që fokusi të jetë tregtia, taksat dhe transparenca, si dhe të paktën një nga çështjet kryesore ndërkombëtare, konflikti në Siri.

“Ne duhet ta përdorim G8-n në përpjekje për t’u bërë presion të gjitha palëve që të arrijnë atë që ne duam, një konferecë për paqe, një proces paqeje dhe një qeveri kalimtare në Siri”.

Qendrimi i vendosur zyrtar amerikan se qeveria siriane ka përdorur armë kimike do të forcojë pozitat perëndimore në takim, por Rusia si anëtare e G8-s ka të ngjarë të kundërshtojë përsëri çdo ndërhyrje të huaj për të përmbysur regjimin sirian.

Kadri Liik është eksperte për Rusinë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ata nuk janë dakord me vizionet perëndimore për zgjidhjen e konfliktit në Siri, por nga ana tjetër ata nuk kanë mjete dhe fuqi për të detyruar zgjidhjen e tyre”.

Ndërkaq, përpjekjet e G8-s për të trajtuar çështjet ekonomike botërore do të dobësohen duke mos patur shumë lojtarë në tavolinë, siç janë Kina dhe vende të tjera që kanë fituar fuqi ekonomike që kur filluan këto takime 38 vjet më parë.

Stephen Pickford i Chatham House të Londrës ka ndihmuar në planifikimin e takimeve të nivelit të lartë.

“Shumë nga çështjet që ata duan të trajtojnë janë të vështira për t’u trajtuar pa angazhimin e tregjeve të reja. Megjithatë, ka mundësi që G8 të tregojë një farë roli udhëheqës dhe t’i vërë gjërat në lëvizje”.

Për G8-n vënia e gjërave në lëvizje mund të jetë më realiste se sa arritjet e mëdha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG