Lidhje

G8 ekspozon rivalitetet e vjetra me Rusinë


Udhëheqësit botërorë në takimin e nivelit të lartë të G8-s në Irlandën e Veriut kanë filluar diskutimet se si t’i jepet fund konfliktit sirian. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, na informon nga Londra se Presidenti i Rusisë,Vladimir Putin, po mbron qendrimin e tij në mbështetje të udhëheqësit sirian, Bashar al Assad, megjithë kritikant nga homologët e tij të G8-s.

Luftime intensive u zhvilluan në qendër të Damaskut dhe në Alepo, në të njejtën ditë që udhëheqësit e G8s u mblodhën në Irlandën e Veriut. Mosmarrëveshjet se si t’u jepet fund luftimeve duket se janë zgjeruar. Chris Phillips i Universitetit Queen Mary, të Londrës, thotë se Moska ka që në lojtari më konseguent ndërkombëtar në këtë konflikt.

"Rusët kanë mbështetur gjithënjë parimin e sovranitetit shtetëror. Ata i përmbahen pikëpamjes se sirianët kanë të drejtën të trajtojnë punët e tyre të mbrendëshme ashtu siç dëshirojnë ata.Vetë Rusia ka një regjim autokrat dhe nuk mbështet asnjë lëvizje të madhe që minon parimin e sovranitetit shtetëror dhe ata do t’i përmbahen këtij qendrimi”.

Kryeministri britanik, David Cameron, priti Vladimir Putinin në prak të takimit të nivelit të lartë dhe ritheksoi qendrimin e tij se presidenti sirian duhet të largohet.

Zoti Putin ishte po aq i prerë në kundërshtimin e qendrimit të Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Francës se kryengritësit sirianë duhet të armatosen.

"Dua t’ju tërheq vemendjen për faktin se Rusia furnizon me armë qeverinë e ligjshme të Sirisë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ne nuk po shkelim asnjë ligj, më lejoni ta theksoj, ne nuk po shkelim asnjë ligj. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të tjerë të veprojnë në të njejtën mënyrë”.

Chris Phillips thotë se hezitimi perëndimor për mbështetjen e opozitës siriane e ka forcuar qendimin e Moskës.

"Në fakt ata nuk janë të predispozuar të ofrojnë burime të tilla siç po ofrojnë palët që e mbështesin Asadin. Shumat e parave dhe armët e dërguara në Siri nga Rusia dhe aleatët e tjerë kryesorë të Assad-it, si Irani dhe Hezbollahu në Liban janë të mëdha”.

Presidenti Putin do ta shikojë se në rastin e Sirisë është ai kundër shtatë udhëheqësve të tjerë të G8-s, thotë profesor Christopher Brown i Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës.

"Në fakt do të ishte arritje nëse udhëheqësit e G8-s do t’u ushtronin presion opozitës dhe qeverisë të merrnin pjesë në një konferencë, gjë që do të ishte një situatë më e mirë se sa pozita e tanishme”.

Brown thotë se çdo përparim varet në kompromiset që do të bëjnë rivalët historikë të luftës së ftohtë.

"Mendoj se ka mundësi të shumta për Putinin dhe Obamën që të uleshin e të diskutonin sëbashku pa praninë e të tjerëve. Mendoj se ky do të ishte forumi më i mirë për t’u marrë me Sirinë. Nuk është forumi i përshatshëm për t’u marrë me problemet ekonomike, se Kina dhe India nuk janë aty”.

Përmirësimi i ekonomisë botërore është mjaf në axhendën e Enniskillen-it, por analistët thonë se vazhdimi i gjakderdhjes në Siri po ekspozon shtimin e mosmarrëveshjeve mes rivalëve të vjetër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG