Lidhje

Bota kujton Gabriel Garcia Marquezin


Njerëzit në mbarë botën po kujtojnë sot Gabriel García Márquezin, autorin e mirënjohur latino-amerikan, fitues i çmimit Nobel në letërsi. Ai vdiq dje, në moshën 87 vjeçare, në shtëpinë e tij në qytetin e Meksikos.

Kolumbia, vendi nga Marquezi kishte origjinën, po mban tre ditë zi kombëtare. García Márquez, konsiderohet si shkrimtari që popullarizoi realizmin magjik, një zhanër që ndërthur përshkrime të jetës së përditshme me elementë fantastikë.

Ai kujtohet më së shumti për veprat “100 Vjet Vetmi” dhe “Dashuri në Kohën e Kolerës”.

Gabriel Garcia Marquez konsiderohet si shkrimtari më popullor në gjuhën spanjolle që nga Miguel de Cervantesi. Veprat e tij letrare kanë qenë shkrimet më të shitura në spanjisht, përveç Biblës. Romani i tij epik 100 Vjet Vetmi është shitur në mbi 50 milionë kopje në 25 gjuhë të ndryshme.

García Márquez fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 për tregimet dhe romanet e tij. Në fjalën e falenderimit kur mori çmimin, ai u shpreh “Amerika Latine është një burim i pashtershëm krijimtarie, dëshpërimi dhe bukurie".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG