Lidhje

Gac Filipaj, shqiptari nga Ulqini që u diplomua në “Columbia”


Gac Filipaj
Gac Filipaj

Tani do t’ju flasim për Gac Filipajn, shqiptarin nga Ulqini që erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1992 dhe para pak ditësh mbaroi me sukses studimet e larta në “Columbia”, universitet i njohur në mbarë Amerikën. Gaci u diplomua pas shumë vite sakrificash, duke punuar njëkohësisht si pastrues në këtë universitet. Javëve të fundit, historia e këtij 52-vjeçari u vu në qendër të mediave amerikane, si shembull se ç’farë mund të bëjë vullneti dhe durimi.


Pas 18 vjet studimesh, Gac Filipaj është diplomuar nga ky universitet i njohur i Amerikës. Para pak ditësh, kolegët e tij të punës, ekipi i pastrim-mirëmbajtjes në universitet u mblodh për të festuar këtë ngjarje. Mes tyre, Gaci gëzon një respekt të madh si njeri i punës.

Të gjithë e urojnë dhe thonë se janë krenarë për kolegun e tyre që mbaroi studimet në njërin nga universitetet më të njohur të Amerikës duke mos e ndërprerë punën si pastrues në këtë universitet.

“Është shumë e vështirë për një person që punon me orar të plotë, tetë orë në ditë. Më duhej një orë e gjysmë për të ardhur në punë dhe po aq për t’u kthyer në shtëpi. Vështirësia ishte lodhja në punë dhe së dyti, nuk kisha kohë për të pushuar dhe për të studiuar”, thotë Gac Filipaj.

Kjo ishte arësyeja që atij iu deshën 12 vjet për të kryer studimet universitare. Gaci studioi për gjuhë klasike, greqishten e vjetër dhe latinishten. Disa njerëz të lashtësisë atij i kanë lënë përshtypje të thellë gjatë studimeve në Kolumbia.

“Si mendimtar, si njeri që shpreh ide më të thella dhe më të nevojshme për njerëzit si në atë kohë ashtu edhe sot, padyshim për mua është filozofi romak Seneka. Nëse kam shans të vazhdoj studimet më gjatë, përparësi për mua do të ketë filozofia e Senekës”.

Menaxheri i Gacit, Peter Tran ka vlerësimin më të lartë për të:

“Është një njeri i jashtëzakonshëm. I respekton të tjerët, shumë i sjellshëm dhe nuk kam patur kurrë njeri tjetër që të punojë si ai”, thotë Tran.

Gacit iu deshën vite të tëra për të mësuar anglishten, sepse kur erdhi në SHBA dinte vetëm disa fjalë.

“Para se të filloja punën këtu, nga 1992 deri më 1993, kam shkuar në një shkollë në Bronx që u ofron imigrantëve falas mësime të anglishtes. Kam mësuar aty aq sa ma ka marrë mendja se është e nevojshme për të filluar punën në pastrim. Kur fillova punën në Universitetin Columbia mora mësime të anglishtes por pa mendimin që ta mbaroj kursin sa më shpejt. Pastaj fillova edhe një punë të dytë me orar të plotë”.

Pas shtatë vjetësh mësimesh të anglishtes, Gaci u regjistrua në Universitet. Si punonjës, i “Columbias” mësimet për të ishin falas. Ky njeri që e ka me kaq pasion studimin e filozofëve të lashtë, nuk e ka për turp të pastrojë banjat, madje e quan për nder:

“Nuk është turp të bësh çfarëdo lloj pune, përderisa është punë e ndershme e përderisa njeriu e fiton jetesën e vet me djersë e me faqe të bardhë. Keq është kur merresh me punë të këqia”.

Gac Filipaj është nga Kllezna e Poshtme e rrethit të Ulqinit në Mal të Zi.

“Jam krenar që jam shqiptar. Nuk më vjen turp të pohoj se jam nga Ballkani, nga Jugosllavia e dikurshme, tani Mali i Zi, por për nga gjaku dhe nga kultura e gjuha jam shqiptar”.

Ai thotë se reflekton shpesh për vemendjen që po i kushtojnë atij mediat amerikane:

“Unë nuk kam arritur ndonjë gjë të madhe, jo aq të madhe sa ta meritoj gjithë këtë vemendje që po ma kushtojnë në lajme. Ka me mijëra e mijëra studentë që bëjnë jo katër vite fakultet por fitojnë mastera e doktorata, pra ata meritojnë më tepër vemendje. Por siç ma merr mendja mua, media më kushton vemendje sepse me sa duket e vlerëson situatën time meqenëse jam dikush që kam imigruar në Shtetet e Bashkuara, dhe nuk e quaj punë të ulët të pastroj banjat e njëkohësisht të bëj shkollën”.

“Për ata që mendojnë se kanë arritur diçka, se kanë unaza ari dhe relike ari rreth qafës apo makina të shtrenjta e të mira, për ata mund të përdor një shprehje që e ka thënë Seneka dy mijë vjet më parë: Freri apo shala prej ari nuk e bën kalin aspak më të mirë”.

XS
SM
MD
LG