Lidhje

Organizata Gallup në shekullin XXI

  • Jela Franceschi

Anketë për cilësinë e jetës në Afganistan

Anketë për cilësinë e jetës në Afganistan

Kompania Gallup vazhdoi të operonte si biznes familjar deri në vitin 1988, kur e bleu Jim Clifton, një specialist i talentuar i marketingut nga Nebraska. Ai u takua me George Gallup vetëm pak herë para se themeluesi i Gallupit të vdiste. Ai ende ruan lidhjet me familjen Gallup.

Jim Clifton e konsideron veten si kujdestar i një misioni shumë të qartë që ka lënë George Gallup:

“Kemi një mision shumë të thjeshtë: Të regjistrojmë me saktësi dhe ndershmëri mendimet e 300 milionë amerikanëve dhe ta realizojmë këtë pa lejuar ndikime nga grupet e interesave”.

Që kur zoti Clifton mori drejtimin e kompanisë, organizata Gallup ka marrë përmasa gjigante. Ndër klientët e saj përfshihen institucione financiare, korporata amerikane dhe ndërkombëtare si dhe qeveri të huaja. Gallupi zhvillon anketa në më shumë se 150 vende dhe ka në plan të zhvillojë anketa në çdo vend. Organizata ka 29 zyra globale, organizata partnere në 65 vende si dhe 13 zyra në pika të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Selia e saj kryesore ndodhet në Washington, por operacionet kryesore të organizatës zhvillohen në zyrat e saj në Omaha të Nebraskës. Qendra e njohur si Riverside Campus ndodhet në brigjet perëndimore të lumit Missouri. Jane Miller drejton qendrën.

“Kjo është qendra jonë për të gjitha shërbimet operacionale në të gjithë botën, që nga kontaktet direkte me klientët dhe konsulencat, seminaret e deri tek ekspertët që ndërtojnë programet tona kompiuterike. Këto kemi shërbimet administrative, zyrën e llogarive si dhe të personelit, pra çdo gjë që bën të mundur funksionimin e Gallupit”.

Qendra në Nebraska është truri i Gallupit që përmban përgjigjet për më shumë se 136 mijë pyetje dhe përgjigje nga 3.5 milionë vetë të intervistuar nga Gallupi që nga krijimi i tij 75 vjet më parë. Arkivat e Gallupit shtohen me shpejtësi.

“Mendoj se do të kemi 13 milion anketa të zhvilluara deri në fund të 2012. Të dhënat grumbullohen gradualisht gjatë gjithë vitit. Pra zhvillojmë pak a shumë 1 milion anketa në muaj, 30-40 mijë anketa në ditë në pika të ndryshme të globit dhe të dhënat mblidhen këtu në qendër”.

Ekspertët e Gallupit thonë se të pajisur me këto fakte, ata kanë mundësi të dallojnë zhvillime të rëndësishme në formim e sipër, para se të shfaqen në titujt e lajmeve.

“Shembuj të përsosur janë Tunizia dhe Egjipti. Në këto vende udhëheqja nuk e kishte idenë çfarë mendonin njerëzit. Roli ynë është i thjeshtë, por shumë i fuqishëm. Ne raportojmë mbi vullnetin e masës dhe pastaj udhëheqja vendos se çfarë do të bëjë”.

“Kur analizojmë disa tregues të caktuar, mund të shohim pakënaqësi ndaj qeverive dhe lidhur me gjërat dhe zhvillimet në vend. Këto tregues na japin sinjale të vlefshme mbi ngjarjet që mund të shohim në të ardhmen në atë vend. Besojmë të arrijmë në atë pikë sa ta analizojmë shkencërisht pakënaqësinë publike”.


Gallupi është zgjeruar dhe ka evoluar gjatë viteve, por një gjë që nuk ka ndryshuar është misioni i tij për të bërë publik mendimin e masave në Amerikë dhe vende të tjera. George Gallup nxirrte çdo dy javë rezultate nga anketat e tij që botoheshin në qindra gazeta amerikane. Organizata e vazhdon këtë mision e pajisur tani me teknologjinë më moderne.
XS
SM
MD
LG