Lidhje

Kreu i ri i PD, kandidatët nisën fushatën


Në Shqipëri dy kandidatët në garën për kreun e Partisë demokratike Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha nisën sot fushatën në radhët e anëtarësisë. Zoti Olldashi pati takime në Mallakastër ndërsa zoti Basha pritet ta nisë nga Elbasani. Pas dorëheqjes së zotit Berisha, figura qëndrore e kësaj partie që nga themelimi I saj, për herë të parë demokratët do të zgjidhin drejtuesin e ri me votën e tyre direkte.

Gara për kreun e ri të PD-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Brenda pak më shumë se dy javëve demokratët do të kenë në krye për herë të parë një tjetër emër. Për të zënë vendin e zotit Sali Berisha, njeriut që shenjoi historinë e kësaj partie por dhe skenën politike të vendit, zgjedhja është mes dy figurave të reja në moshë dhe që janë ngjitur në nivele të larta partiake dhe qeveritare.

Ministri aktual i Transporteve Sokol Olldashi nisi sot fushatën nga Ballshi, zonë të cilën ai ka qenë i ngarkuar të mbulonte gjatë disa zgjedhjeve. Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ka zgjedhur të shkojë në mbrëmje në Elbasan, qytet ku ai u zgjodh deputet në vitin 2009. Që të dy morrën vendimin për të kandiduar pasi u konsultuan më parë me zotin Berisha. Zoti Olldashi për të marë garancitë e një gare të hapur, për shkak ndoshta dhe të faktit se askush nuk kishte dyshimin më të vogël se rivali i tij do të ishte, zoti Basha, i cili mbart me vete imazhin e një figure që ka patur gjerësisht mbështetjen e hapur të kryetarit të dorëhequr. Vetë zoti Berisha deklaroi disa herë se ai do të mbante një qëndrim asnjanës në garën për pasuesin e tij, duke kërkuar këtë edhe nga anëtarët e kryesisë.

Megjithatë starti mes dy kandidatëve ka qenë i ndryshëm. Zoti Olldashi shpalli kandidaturën e tij përmes një deklarate të shkurtër ku bëri publik synimin për përgatitjen e partisë për një rikthim të shpejtë në pushtet. Të njejtin synim shpalli dhe zoti Basha, por përmes një fjalimi të gjatë të strukturuar në formën e një miniplatforme ku binin në sy vlerësimet maksimale ndaj zotit Berisha, të përsëritura disa herë. Për më tepër, në ndryshim nga rivali i tij i cili njoftoi përfshirjen në garë në sallën e konferencave të shtypit të partisë, zoti Basha e lexoi fjalimin e tij nga foltorja ku pak ditë më parë zoti Berisha kishte shpallur dorëheqjen.

Të ndryshme edhe CV-të e të dy kandidatëve të publikuara sot në faqen zyrtare të Partisë demokratike. Ajo e zotit Olldashi është një CV klasike që përmban thjesht datat dhe funksionet e mbuluara prej tij. Ndërkohë që CV-ja e zotit Basha i ngjan më tepër një jetëshkrimi të detajuar që nis që nga rezultatet e tij të shkëlqyera në shkollën tetëvjecare deri të funksionet ekzekutive ku thuajse cdo sukses i qeverive të kryeministrit Berisha lidhet me emrin e tij.

Ndërsa janë thirrur për të zgjedhur drejtuesin e tyre të ri, demokratët do të duhet të presin për të bërë analizën e humbjes së thellë të zgjedhjeve të 23 qershorit. Humbje e cila nuk kurseu asnjë nga figurat drejtuese, as edhe vetë zotin Basha i cili mori përsipër drejtimin e fushatës në Tiranë, ku ashtu si dhe në qytetet e tjera, demokratët pësuan një goditje mjaft të fortë. Të qenurit prej dy vjetësh kryebashkiak i kryeqytetit nuk e ndihmoi, madje rrezikon të jetë edhe një disavantazh në garën aktuale. Së pari sepse nëse zgjidhet, opozita do të jetë në parlament pa kryetarin e saj, së dyti sepse ai kishte premtuar ta mbante kryeqytetin larg betejave politike, ndërsa po shkel në fakt në gjurmët e zotit Rama, aq shumë i kritikuar vite më parë nga demokratët për mbajtjen njëkohësisht të dy funksioneve, atë të kryebashkiakut dhe të kryetarit socialist.
XS
SM
MD
LG