Lidhje

Drejt fundit gara për kreun e PD


Objektivat dhe premtimet e dy kandidatëve gjatë fushatës së tyre; sulmet ndaj së majtës dhe angazhimi për të përfshirë anëtarësinë në vendimmarrje

Në Shqipëri gara për kreu e partisë demokratike pas dorëheqjes së zotit Sali Berisha po I afrohet fundit. Të dy kandidatët, kryetari aktual I Bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi kanë nënvizuar nevojën e një përfshirjeje të drejtëpërdrejtë të anëtarësisë në vendimarrje dhe premtojnë fitore në garën më të afërt me kundërshtarin e tyre të majtë. Ata kanë evituar debatet e drejtpërdrejta me njeri tjetrin. Zoti Basha ka nxjerrë në pah faktin e të qenurit I suksesshëm në veprimtarinë e tij si anëtar qeverie, duke i mëshuar zgjedhjes si kryetr Bashkie në përballjen e drejtpërdrejtë me kryetarin socialist në 2011, ndërsa zoti Olldashi ka theksuar se ai ka avantazh një eksperiencë më të madhe në parti dhe faktin se është anëtar I parlamentit të ardhshëm aty ku zhvillohet beteja kryesore politike.

Gara për kreun e PD drejt fundit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:05 0:00
Dy kandidatët për të qenë pasuesit e zotit Sali Berisha, figurës qëndrore të partisë demokratike që nga themelimi i saj, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë zhvilluar takime thuajse në të gjithë vendin me anëtarët e partisë së tyre. Të dy hynë në garë pa patur barrën e analizës së humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Një temë që me vendim të kryesisë u la për t’u trajtuar më vonë. Por të dy kandidatët, të vetdijshëm se nuk mund ta shmangin atë plotësisht, më shumë se sa te arsyet e brendshme po e motivojnë rezultatin zhgënjyes te deformimi, sipas tyre, i votës nga ana e së majtës.

“Asnjë forcë demokratike, vetëm klikat marksiste vijnë në pushtet me mashtrime. Dhe premtimet e tyre përditë po vërtetohet se janë mashtrime nga të cilat kanë nisur të tërhiqen akoma pa u ikur boja nga gishti votuesve të mashtruar më 23 qershor”, deklaroi zoti Basha në një prej takimeve të tij. Zoti Olldashi, nga ana tjetër, ka sulmuar më së tepërmi Lëvizjen socialiste për Integrim që bashkëqeverisi me ta për katër vjet, edhe si një taktikë ndaj rivalit të tij në garë për shkak të lidhjeve të forta që zoti Basha ka patur me kryetarin e LSI-së Ilir Meta. Madje zoti Olldashi akuzoi se LSI po përpiqet të ndërhyjë edhe në këtë proces të brendshëm të partisë demokratike: “Janë të njejtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në process. Në Lushnje, Berat e gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë process. Mbajini larg. Kjo parti është e demokratëve”.

Në të vërtetë të dy kandidatët kanë evituar që të flasin për njëri tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e bërë këtë tërthorazi. Zoti Basha duke marrë autorësinë e disa prej sukseses kryesore të qeverisjes së djathtë: “Kryeministri Berisha më ngarkoi misionin e vecantë të ndërtimit të rrugës së Kombit. Dhe përkundër luftës së jashtëzakonshme për ta penguar, ja dola me sukses dhe përmbusha misionin. Më ngarkuan në një moment të vecantë të historisë së Shqipërisë, detyrën e kryediplomatit, në momentin e përpjekjes sonë të integrimit euroatlantik. Dhashë kontributin tim. Përmbusha me nder misionin që mu ngarkua. Më cuan te Ministria e Brendshme kur duhej të plotësoheshin 120 kritere për premtimin tonë madhor të fushatës sonë të 2009, heqjen e vizave për shqiptarët. Hoqëm vizat dhe I dhamë dinjitet shqiptarëve”. Zoti Basha po nënvizon faktin se ai ka dalë fitues në përballjen direkte me zotin Rama: “Rama na njeh mirë. Kush të mund një herë di dhe do të të mundë përsëri”

Por të qenurit e tij kryetar Bashkie e për pasojë jashtë parlamentit të ardhshëm, konsiderohet nga rivali Olldashi, si pikë në favor të vetë atij në përballjen me zotin Basha: “Kam avantazh faktin që kam eksperiencë opozitare, që e njoh këtë strukturë në nivele të ndryshme, dhe që unë jam në parlament, e debati zhvillohet në parlament. Dhe avantazhi më kryesor që kam, të paktën në analizën time, është fakti që unë e kam të gjithë kohën, 24 orë në ditë, për t’ja dedikuar veprimit politik të partisë demokratike".

Ajo cka të dy ofrojnë, ndonëse e artikuluar në mënyrë të ndryshme dhe me nuance të pakta dalluese, është në thelb thuajse e njëjtë. Pa kritikuar faktin se të paktën këto katër vitet e fundit partia funksionoi pa zgjedhur drejtuesit e saj dhe pa mbledhur strukturat e larta, kandidatët janë shprehur për nevojën e një angazhimi më të madh të anëtarësisë së partisë në vendimmarrje. “Fillimi i ri i partisë demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, fillon nga institucionalizimi I marrëdhënies me qelizën bazë të partisë, AND-ja, dhe AND-ja e partisë dmeokratike nuk është kryetari, nuk është kryesia, nuk është Këshilli kombëtar, është demokrati i thjeshtë”, shprehet zoti Olldashi. “Një nga arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të partisë demokratike. Ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike, është të korrigjojmë këtë gabim”, deklaron nga ana e tij zoti Basha.

Të paktën këto janë mesazhet që të dy kandidatët kanë preferuar të kalojnë për publikun, duke u kujdesur vetë, për mbulimin mediatik të fushatës. Për herë të parë kryetari do të zgjidhet direkt nga anëtarësia. Një sfidë e fortë për një parti që për 22 vite është njesuar vetëm me imazhin e udhëheqësit të saj.
XS
SM
MD
LG