Lidhje

Ekonomia favorizon presidentin Obama në garën me kandidatin republikan

  • Xhim Malone

Zgjedhjet paraprake të republikanëve në SHBA do të vazhdojnë deri në qershor, por zyrtarët e partisë gjithnjë e më shumë po mbështesin ish-guvernatorin e shtetit Massachusetts Mitt Romney, i cili sipas tyre, pritet të jetë kandidat i partisë. Në vazhdim, të ndjekim më shumë hollësi mbi garën presidenciale të vitit 2012.

Ish-presidenti George H.W. Bush dhe gruaja e tij Barbara janë personalitetet më të fundit me emër të partisë republikane që kanë mbështetur kandidatin Mitt Romney.

“Zonja Bush më kujtoi këngën e Kenny Rogers, ‘Çdo gjë ka kohën e vet’. Pra unë mendoj se është koha që njerëzit të mbështesin këtë njeri të mirë”.

Zoti Romney ka një epërsi të pakapërcyeshme përsa i përket numrit të delegatëve për të marrë emërimin e partisë republikane dhe dëshiron t’i japë fund zgjedhjeve paraprake sa më shpejtë.

“Unë mendoj se është e rëndësishme për ne të zgjedhim një kandidat dhe të përqëndrohemi tek një fushatë që të trajtojë dy vizione shumë të ndryshme për Amerikën”.

Por rivalët e tij Newt Gingrich, Ron Paul dhe Rick Santorum po vazhdojnë fushatën, me shpresën se Romney do të bëjë gabime.

“Unë mendoj se amerikanët janë të lodhur nga politikanët që u thonë çdo gjë që ata dëshirojnë të dëgjojnë kur janë para tyre dhe pastaj bëjnë atë që është e dobishme politikisht”.

Në mesin e atyre republikanëve që duan që zgjedhjet paraprake të përfundojnë sa më shpejt, është ligjvënësi Steve Chabot i Ohajos, i cili i dha një intervistë Zërit të Amerikës.

“Si republikan unë do të doja që energjia jonë të drejtohet kundër presidentit e jo kundër njëri-tjetrit. Populli amerikan duhet të përqëndrohet në gabimet dhe arritjet e tij”.

Kandidatët republikanë që po sulmojnë njëri-tjetrin, në këtë mënyrë mund ta ndihmojnë presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit, thotë ky anketues.

“Toni negativ i fërkimeve dhe politikës është lojë me një fitues të vetëm. Ajo që është e keqe për republikanët është e mirë për presidentin, gjë që gjithashtu e ndihmon atë”.

Fokusi kryesor i presidentit Obama mbetet ekonomia.

“Ekonomia jonë është duke u forcuar. Rimëkëmbja është përshpejtuar. Prandaj ne nuk mund të përballojmë kthimin në të njëjtat politika që na kanë sjellë në këtë gjendje të ekonomisë”.

Sondazhet e fundit tregojnë se nëse zgjedhjet do mbaheshin tani, presidenti do të fitonte ndaj pretendentëve republikanë, kryesisht për shkak se ekonomia duket se ka filluar të rimëkëmbet, thotë anketuesi Peter Brown.

“Ekziston një ndjenjë e përgjithshme se ekonomia po përmirësohet dhe ky perceptim për gjendjen ekonomike, padyshim që e ndihmon presidentin”.
Por një vendim i Gjykatës së Lartë që do të sfidonte ligjin e presidentit mbi kujdesin shëndetësor, gjithashtu mund të ketë ndikim në zgjedhjet, thotë analisti Henri Olsen.

“Në varësi të vendimit të Gjykatës së Lartë mbi këtë ligj, njëra nga dy palët mund t’i forcojë pozitat”.

Gjykata e Lartë pritet të marrë vendimin mbi kushtetuetshmërinë e ligjit mbi kujdesin shëndetësor në muajin qershor.

XS
SM
MD
LG