Lidhje

Gara republikane presidenciale e paparashikueshme edhe pranë votimit të parë

  • Xhim Mëllon

Gara republikane presidenciale e paparashikueshme edhe pranë votimit të parë

Gara republikane presidenciale e paparashikueshme edhe pranë votimit të parë

Zgjedhjet paraprake për kandidatin republikan për President në shtetin qendror të Ajovas do të zhvillohen pas pak javësh dhe ato përbëjnë provën e parë zyrtare për pretendentët. Ndërkohë që ky test është gjithmonë e më pranë, gara për postin e kandidatit republikan për President duket shumë e ndërlikuar.

Kandidatët republikanë për President do të përqëndrohen gjithmonë e më tepër në dy prova zgjedhore të hershme të garës – ajo e shtetit të Ajovas më datë 3 janar dhe zgjedhjet paraprake në shtetin e Nju Hempshirit më datë 10 janar.

Rezultatet e anketës së fundit organizuar nga gazeta USA Today dhe Organizata Gallup, rendisin në krye ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich me mbështetjen e 22 përqind të votuesve republikanë të pyetur. Ish-Guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney renditej menjëherë pas tij me 21 përqind, i ndjekur nga sipërmarrësi nga Xhorxha Herman Cain me 16 përqind dhe ligjvënësi Ron Paul me 9 përqind. Përqindjet e mbështetjes për kandidatët e tjerë shin njëshifrore. Stuart Rothenberg është redaktor dhe botues i Rothenberg Political Report, një buletin i pavarur informacioni politik.

“Kjo garë republikane ka qenë më e ndërlikuara që kam parë ndonjëherë dhe shumë e paparashikueshme. Megjithatë një gjë është shumë e qartë: çereku i Partisë Republikane preferon zotin Mitt Romney, por tre të katërtat e kësaj partie nuk e do atë”.

Deri pak kohë më parë zoti Herman Cain shihej si një rival kryesor i ish-Guvernatorit Romney, por atij iu desh të përballej me akuza për ngacmime seksuale, që pretendohen të kenë ndodhur gjatë viteve ’90.

Ai pati gjithashtu një moment jo të mirë në politikën e jashtme, përfshi një bllokim të shkurtër të kujtesës kur iu kërkua të komentonte mbi politikat e Presidentit Obama në lidhje me Libinë.

Zoti Cain pësoi një rënie të vogël në renditjen e anketave por ai mbetet një pretendent i rëndësishëm i garës.

“E dini se çfarë i çmend liberalët dhe disa prej konkurrentëve të kësaj gare? Fakti që edhe pse ata më kanë sulmuar shumë me gjëra të pavërteta gjatë këtyre dy javëve të fundit, unë jam ende duke buzëqeshur dhe jam ende i inspiruar.”

Analisti politik i rrjetit televiziv ABC, Matthew Dowd, thotë se imazhi i zotit Cain është dëmtuar gjatë javëve të fundit, çka shpjegon pjesërisht ngritjen e zotit Gingrich në renditjen e anketave.

“Unë mendoj se momenti i tij i mirë përfundoi dhe tani, pas gjithë asaj që ndodhi gjatë verës, kemi një garë individuale shumë interesante midis pretendetëve Mitt Romney dhe Newt Gingrich.”

Një sondazh i fundit i zhvilluar me votuesit republikanë të shtetit të Ajovas paraqiti kandidatët Gingrich, Romney, Cain dhe Paul në krye të preferencave të elektoratit të atij shteti, ku një fitore e mundshme do të ndihmonte shumë kandidatët në vazhdimin e garës.

Por një sondazh tjetër i organizuar nga rrjeti televiziv Bloomberg tregon se 60 përqind e votuesve që do të marrin pjesë në votimet në Ajova mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre në lidhje me kandidatët, çka e bën garën të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.

Votimi paraprak në shtetin e Ajovas shënon fillimin e procesit të zgjedhjes nga ana e republikanëve të një kandidati për t’u përballur me Presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2012.

XS
SM
MD
LG