Lidhje

SHBA: Karburant nga plehërat

  • Steve Baragona

Një nga teknologjitë e shumëpritura të energjisë alternative do të hyjë në përdorim të përgjithshëm këtë vit. Është një teknologji, e cila i kthen kallinjtë e misrit, kërcejtë e grurit dhe plehërat në energji.

Në uzinën-pilot të kompanisë "Fiberight" në Virginia, mbërrin një ngarkesë e freskët plehërash. Këtu perimet e prishura, kartonat dhe plehëra të tjera shndërrohen në diçka shumë më të vlefshme, thotë menaxheri i uzinës, Randy Garrett.

“Ne marrim ato që fillimisht ishin plehëra, me destinacion fushat e mbeturinave; gjysma e materialit shkon për t'u përpunuar, që të shndërrohet në biokarbure, siç është etanoli."

Etanoli përbën rreth 10 për qind të furnizimit me karburant në Shtetet e Bashkuara. Thuajse e gjitha kjo sasi vjen nga misri, duke krijuar konkurencë mes ushqimit dhe karburantit, për të cilin kritikët thonë se është duke rritur çmimin e ushqimeve.

Por kjo nuk ndodh në "Fiberight", ku plehërat hidhen në një kontenier, që në fakt është si një tenxhere gjigande me presion.

“Kjo pajisje e shndërron letrën, kartonin, lëkurat e bananes, apo çdo fibër organike, në një lloj mase viskoze. Pikërisht kjo na duhet për prodhimin e energjisë.”

Avulli që del nga kjo masë është kryesisht celulozë. Në kushtet e duhura, celuloza mund të shndërrohet në etanol. Këtë vit, disa uzina të tjera pritet të prodhojnë etanol nga celuloza e kallirit të misrit, kashtës së grurit dhe material të tjera bimore. Për këtë transformim është dashur një kohë e gjatë.

Në vitin 2007, Presidenti George W. Bush nënshkroi një ligj që kërkonte shtimin e sasisë së etanolit në benzinën e Sheteve të Bashkuara.

Njëri nga synimet ishte nxitja e burimeve të reja të karburantit.

“Ju zhvilloni tenkologji të reja që bëjnë të mundur prodhimin e etanolit nga ashklat e drurit, kërcejt e barit, apo mbeturinat bujqësore."

Energjia e krijuar nga bimët prodhon më pak gaze të efektit serrë, se sa karburanti nga produktet e naftës.

Por prodhimi i etnaolit celuloid ishte më i vështirë për t’u përftuar se sa pritej, thotë ekonomistja bujqësore në Universitetin e Illinoit Madhu Khanna.

“Ne dimë si ta bëjmë këtë në laborator. Por problemi kryesor është ta prodhojmë atë vazhdimisht, me kosto të efektshme dhe në shkallë të gjerë."

Prodhimi i etanolit celuloid doli shumë më i vështirë se sa pritej, ndërsa kompanitë zgjidhnin çështjet teknike. Ky mund të jetë një vit kthese. Por prof. Khanna thotë se makinat mund ta kufizojnë rritjen e industrisë.

“Në se fillojmë prodhimin e këtij produkti me kosto të efektshme, ne duhet të jemi të aftë që edhe ta konsumojmë atë."

Por tani vetëm disa modele makinash mund të përdorin karburant me përmbajtje të lartë etanoli.

Në se shtohen makinat që përdorin këtë lloj karburanti, do të ketë më shumë nevojë për gaz të përftuar nga plehërat.

XS
SM
MD
LG