Lidhje

Ukrainë: Shpërthimi akt sabotimi


Zyrtarët ukrainas thonë se shpërthimi në një tubacion gazi ishte një akt i qëllimshëm sabotimi.

Zyrtarë të qeverisë ukrainase thonë se shpërthimi në një tubacion gazi këtë javë ishte kryer me eksploziv nga sabotatorët.

Shpërthimi ndodhi të martën në Ukrainën qendrore, në tubacionin kryesor që transporton gazin rus përmes Ukrainës për në Evropë.

Ministria ukrainase e Emergjencave publikoi një video ku duket linja e gazit e përfshirë nga flakët, rreth 200 kilometra në lindje të Kievit, në rajonin Poltava.

Të mërkurën kryeministri Areseny Yarseniuk i tha kabinetit të tij se ai besonte se synimi i sabotatorëve ishte për të nxitur ndërtimin e një linje gazi natyror që do të anashkalonte Ukrainën si vend tranzit.

“Duket qartë se kush është i interesuar për të dëmtuar besimin në sistemin ukrainas të transportit të gazit. Ukraina deklaron se është një vend i sigurtë për transportin. Ne kemi realizuar dhe do të kryejmë të gjitha detyrimet tona në fushën e transportit të gazit natyror.”

Shpërthimi ndodh ndërkohë që Moska dhe Kievi kanë mosmarrëveshje për çmimin e gazit.

Të hënën Rusia ndërpreu furnizimet me gaz për Ukrainën për shkak të borxheve të papaguara dhe thotë se gazi që kalon në tubacionin 4 mijë e 500 kilometërsh Trans-Siberian është vetëm për klientët evropianë.

Moska thotë se Kievi në të ardhmen do të duhet të paguajë paraprakisht për furnizimet me gaz.

Analistët thonë se zgjatja e ndërprerjes mund të ndikojë tek furnizimi me gaz i një zone të madhe në Evropën Lindore dhe më gjerë.
XS
SM
MD
LG