Lidhje

Operacioni gastrik mund të zbraps diabetin e tipit 2

  • Carol Pearson

Studimet tregojnë se ndërhyrja kirurgjike është e sigurtë

Dy studime mjekësore po hedhin dritë mbi operacionet për humbjen e peshës. Njëri tregon se ndërhyrjet gastrike për zvogëlimin e stomakut janë bërë edhe më të sigurta, ndërkohë që tjetri ofron të dhënat e para se si ndërhyrja kirurgjikale mund të kurojë diabetin e tipit 2, një sëmundje serioze që prek më shumë se 300 milion njerëz në mbarë botën.

Operacioni për humbje peshe filloi të bëhet popullor në Amerikë rreth 10 vjet më parë. Kjo ndihmon njerëzit me mbipeshë të rimarrin nën kontroll jetën e tyre. Madje, disa pacientë me diabet kanë zbuluar se pas operacionit nuk kanë qënë më të prekur nga sëmundja.

Por sa e sigurtë është procedura? Disa pacientë të hershëm janë prekur nga infeksione të rrezikshme për jetën dhe trompoza të rrezikshme gjaku. Dikur, operacionet mund të bëheshin vetëm në disa spitale të specializuara për pacientë të një programi të subvencionuar nga qeveria. Spitali duhej të ishte akredituar për operacione të tilla dhe duhej të kryente 125 procedura gastrike në vit.

Një studim i ri tregon nëse kryerja e operacionit në një qendër të tillë ka avantazhe.

Mjeku Justin Dimick nga Universiteti i Miçiganit udhëhoqi kërkimet.

“Kur krahasuam përfundimet e këtyre spitaleve të specializuar me të tjerët, rezultatet ishin të njëjta. Qendrat e specializuara nuk kishin arritje më të mira.”

Mjeku Dimick, autori i studimit të botuar në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, thotë se rezultatet e operacioneve filluan të përmirësohen madje para fillimit të studimit sepse kirurgët po fitonin eksperiencë të vyer nga procedurat gastrike në shkollë dhe kurse trajnimi.

Ndërkohë që teknikat janë përmirësuar dhe kirurgët janë kualifikuar më shumë, kërkuesit po ashtu kanë ofruar të dhënat e para se si operacioni gastrik për humbje peshe, që praktikisht është heqje e një pjese të stomakut, mund të kurojë diabetin e tipit 2, një formë ku pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme duke bërë që të rritet niveli i sheqerit në gjak.

Mjekja Sangeta Kashyap në Klinikën Klivland drejtoi studimet.

“Gjetem se arsyeja është se operacioni gastrik rikthen funksionet e pankreasit përsëri.”

Kërkuesit gjetën se në 40 për qind të pacientëve, pankreasi filloi të funksiononte përsëri madje para se të humbisnin gjithë mbipeshën e tyre. Mjekja thotë se arsyeja mund të jetë menjanimi i sistemit të tretjes përtej zorrës së hollë dhe hormoneve që prodhon.

“Operacioni gastrik sjell përfitime duke anashkaluar zorrën e hollë duke rivendosur metabolizmin normal të trupit.”

Të gjithë pacientët përfituan nga humbja e peshës që sjell operacioni. Por shkencëtarët duhet të gjejnë se përse disa pacientë u kuruan nga diabeti, në mënyrë që të përcaktojnë se kush mund të përfitojë më shumë nga operacioni dhe nëse procedura mund të përdoret një ditë për të ndihmuar më shumë pacientë me diabet.

XS
SM
MD
LG