Lidhje

Libri i ish-Sekretarit Gates trondit Uashingtonin

  • Dan Robinson

Një libër i ri me kujtime i i ish Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Robert Gates, reflektimi i tij i hapur dhe i sinqertë që vë në shënjestër presidentin Barack Obama, Kongresin, personelin e Shtëpisë së Bardhë dhe me kritika veçanërisht të ashpra ndaj nënpresidentit Joe Biden, ka tronditur tashmë Uashingtonin, një javë para se të botohet.

Libri zbulon se ai ishte aq i pakënaqur me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin saqë shqyrtoi mundësinë e dorëheqjes.

Shtëpia e Bardhë i ka dhënë një përgjigje fillestare kritikave të ashpra ndaj presidentit Obama dhe zyrtarëve të tanishëm dhe ish- zyrtarëve të administratës në librin e ish- sekretarit Gates.

Ish sekretari i Mbrojtjes Robert Gates ishte e vetmi zyrtar i lartë i administratës së ish presidentit republikan Goerge W. Bush që mbajti postin e tij për dy vite pasi Presidenti Obama filloi detyrën. Zoti Gates drejtoi për dy vjet Pentagonin deri në fillim të vitit 2011, kur doli në pension dhe u zëvendësua nga Leon Paneta.

Kopjet e para-publikuara të marra nga gazetat The New York Times dhe Washington Post përshkruajnë me hollësi kritikat e ashpra të zotit Gates ndaj Presidentit Obama dhe zyrtarëve aktualë dhe atyre të mëparshëm të administratës së tij.

Në Afganistan, ish sekretari Gates shkruan se zoti Obama kishte dyshime për strategjinë e tij, dhe në një moment shprehu pakënaqësitë e tij të forta ndaj Gjeneralit David Petraeus, i cili komandonte forcat amerikane dhe të NATO-s atje.

Zoti Gates thotë se zoti Obama ishte "skeptik dhe ndoshta i bindur" se strategjia e tij do të dështojë, nuk u besonte komandantëve të tij në Afganistan, dhe "nuk e duronte" presidentin e Afganistanit Hamid Karzai. Për zotin Obama, zoti Gates shkruan, lufta afgane ishte thjeshtë një përpjekje për "t’u larguar nga atje."

Zoti Gates, megjithatë, gjithashtu thotë se ai kurrë nuk e ka vënë në dyshim mbështetjen e zotit Obama për trupat amerikane, edhe pse ai e kishte vënë në dyshim mbështetjen e zotit Obama për "për misionin e tyre." Presidenti, shkruan zoti Gates, është një "njeri i integritetit personal."

Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Caitlin Hayden tha se diskutimet mbi politikën e Afganistanit janë "raportuar gjerësisht gjatë viteve."

Zonja Hayden thotë se Presidenti Obama është "i angazhuar për përmbushjen e misionit për shkatërrimin e al -Kaidës, duke u siguruar gjithashtu që ne të kemi një plan të qartë për ngadalësimin e luftës, e cila do të përfundojë këtë vit."

Në deklaratë thuhet se "siç e kemi thënë gjithmonë, presidenti i mirëpret pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme brenda ekipit të tij të sigurisë kombëtare, të cilat zgjerojnë mundësitë e tij dhe përmirësojnë politikat tona."

Zoti Gates gjithashtu ka kritikuar Nënpresidentin Joe Biden, duke thënë se zoti Biden "e ka patur gabim në gati të gjitha politikat e mëdha të jashtme dhe çështjet e sigurisë kombëtare gjatë katër dekadave të fundit. Ai shtoi se Biden ka dëmtuar raportet mes administratës dhe drejtuesve ushtarakë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Caitlin Hayden thotë se presidenti Obama nuk është dakord me vlerësimin e ish sekretarit Gates. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Nënpresidentin Biden është "një nga burrështetasit kryesorë të kohës së tij i cili ka ndihmuar avancimin e rolit udhëheqës të Amerikës në botë," duke shtuar se presidenti Obama "mbështetet në këshillat e tij të mira çdo ditë."

Zoti Gates vlerëson sekretaren e atëhershme të Shtetit Hillary Clinton.

''Ajo është e zgjuar, idealiste por pragmatiste, me humor, një kolege me vlera dhe një përfaqësuese e shkëlqyer e Shteteve të Bashkuara”, shkruan ai.

Por Gates thotë gjithashtu se u trondit kur zonja Klinton pranoi se një nga qëndrimet e saj kryesore për Irakun ishte thjesht një taktikë fushate.

''Hillary i tha presidentit se kundërshtimi i saj për shtimin e trupave në Irak ishte politik për shkak të ballafaqimit të tyre në zgjedhjet paraprake në Iowa”.


Gazeta The New York Times raporton se ndërkohë që zoti Gates lavdëron ish-presidentin George W. Bush për rritjen e numrit të trupave që shmangu dështimin e misionit në Irak, ai gjithashtu e kritikon ish Presidentin Bush për mos ruajtjen e fitoreve të hershme në Irak dhe Afganistan.

Në deklaratën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare thuhet se Presidenti Obama "e vlerëson thellësisht shërbimin e zotit Gates në postin e sekretarit të mbrojtjes dhe shërbimin që i ka bërë vendit tonë gjatë gjithë jetës."

Është pothaujse e sigurtë se do të ketë reagime të tjera ndaj librit të zotit Gates gjatë konferencës për gazetarë që do të mbahet sot në Shtëpinë e Bardhë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG