Lidhje

Banorët e Gazës shfrytëzojnë armëpushimin


Sot në mëngjes, me hyrjen në fuqi të armëpushimit, shumë banorë të Gazës u përpoqën të dilnin nëpër rrugë dhe lagje për të gjetur ushqime dhe ilaçe.
Njerëzit në Gazë mbushën sot në mëngjes rrugët e bombarduara të kësaj enklave bregdetare për tu furnizuar me ushqime dhe barna duke përfituar nga armëpushimi. Banorët gjetën shkatërrime të mëdha në disa prej lagjeve, ndërkohë që në lagje të tjera ishin hapur disa dyqane ushqimore.

Mahdia Gindiya, është strehuar në një shkollë të OKB-së.

“Duam të kthehemi në shtëpitë tona. Nuk ka ujë dhe gjendja është poshtëruese. Agjencia e OKB-së bëri sa mundej. Qëndrojmë stivë sipër njëri-tjetrit dhe kemi frikë se ata do të godisin shkollat. Ata kanë goditur shkollat publike dhe të Kombeve të Bashkuara.”

Armëpushimi u prish vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi, dhe disa dhjetra palestinezë u vranë nga bombardimet izraelite.

Armëpushimi 72 orësh i njoftuar nga Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së Ban Ki-moon ishte përpjekja më ambicioze deri tani për t'u dhënë fund luftimeve mëse tre javëshe. Ndërkohë është shtuar alarmi ndërkombëtar rreth shtimit të numrit të viktimave mes popullsisë civile palestineze.

Ishte parashikuar që pas armëpushimit të kishte negociata mes izraelitëve dhe palestinezëve në Kairo për një zgjidhje afatgjatë.

Izraeli e filloi ofensivën ndaj Gazës së dominuar nga islamistët e Hamasit më 8 korrik, duke kryer bombardime nga ajri dhe deti si reagim ndaj shtimit të sulmeve me raketa përgjatë kufirit me Izraelin. Më 17 korrik tanket dhe trupat tokësore u futën në territorin prej 1.8 milion banorësh.

Zyrtarët në Gazë thonë se të paktën 1499 palestinezë, kryesisht civilë, janë vrarë dhe 7 mijë janë plagosur. 61 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe më shumë se 400 janë dëmtuar. Tre civilë izraelitë janë vrarë nga raketat palestineze.

XS
SM
MD
LG