Lidhje

Përshkallëzohet konflikti izraelito-palestinez


Ushtria izraelite bllokoi rrugët kryesore rreth Rripit të Gazës, gjë që tregon se është gati për fillimin e një ofensive tokësore ndaj rajonit të banuar me palestinezë, ku konflikti po përshkallëzohet drejt rrezikut të një lufte. Sot sulmet ajrore izarelite shkatërruan zyrat e kabinetit Qeveritar të Hamasit. Ky sulm pason shkëmbimin e goditjeve me raketa dje mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gazë:

Kryeministri Ismail Haniyeh nuk ishte në ndërtesë në kohën e sulmit. Ushtria izraelite tha se bombardoi Rripin e Gazës të sunduar nga Hamasi me gati 200 sulme ajrore sot në mëngjes, duke zgjeruar sulmet kundër operacioneve me raketa të militantëve për të përfshirë jo vetëm ndërtesën e kryeministrisë por edhe një stacion policie dhe një rrjet të gjerë tunelesh, që përdoren nga kontrabandistët.

Sulmet e fundit pasuan një sulm me raketa kundër qytetit të shenjtë të Jeruzalemit, që shtuan rreziqet e konfrontimit të dhunshëm të Izraelit me militantët palestinezë dhe zgjeruan ndjeshëm fushën e betejës.

Zyrtatët e shëndetësisë në Gaza thane se 9 veta, përfshirë 8 militantë, u vranë dhe dhjetra të tjerë u plagosën nga sulme të ndryshme sot në mëngjes.

Ministri i Jashtëm i Tunizisë, Rafik Abdessalem dënoi ashpër sulmet izraelite kundër Gazës, pasi vizitoi sot palestinezë të plagosur rëndë në spitalin më të madh të territorit, Shifa.

Ai tha se vendi i tij po bën të gjitha përpjekjet për arritjen e një armëpushimi, madje ai shtoi se qeveria e tij do të kërkojë një takim të ministrave të jashtëm të vendeve arabe për të dalë me një qëndrim të përbashkët që t’i jepet fund asaj që ai e quajti "rrethim i Gazës".

"Është e qartë se ajo që po ndodh sot është agresion izraelit dhe nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. Ne pamë fëmijë dhe gra të plagosura, diçka e papranueshme", tha ministri Abdessalem.

Ai mbërriti në Gaza sot në mëngjes në krye të një delegacioni, më pak se 24 orë pas një vizite të ngjashme të kryeministrit të Egjiptit.

39 palestinezë, mes tyre 13 civilë, si dhe 3 civilë izraelitë janë vrarë që prej fillimit të operacioneve të Izraelit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG