Lidhje

Mbyllja e tuneleve të kontrabandës dëmton Gazën


Ekonomia e Gazës është goditur rëndë nga shkatërrimi kohët e fundit të shumicës së tuneleve të kontrabandistëve, që hyjnë në Gadishullin Sinai të Egjiptit. Këto tunele përbënin një rrjet ekonomik për Gazën, e cila përballet që prej 7 vjetësh me një bllokadë izraelite. Por Egjipti thotë se tunelet përdoreshin nga militantët islamikë për të kryer sulme në Sinai. Scott Bobb i Zërit të Amerikës njofton nga pikë-kalimi kufitar i Rafahut në Rripin e Gazës.

Është një mëngjes i qetë përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin. Aktiviteti në këtë linjë ekonomike për territorin palestinez thuajse është ndërprerë që kur forcat egjiptiane të sigurimit filluan të shkatërrojnë qindra tunele të kontrabandistëve. Pak tunele janë ende të hapura, shumica një kilometër të gjatë, që kalojnë matanë një zone neutrale 500 metra e gjerë e krijuar nga forcat egjiptiane.

Egjiptianët filluan shkatërrimin e tuneleve pas përmbysjes nga pushteti të presidentit Muhamed Morsi në fillim të muajit korrik. Më parë, mijëra tonelata ushqime, karburant, material ndërtimit dhe makineri hynin në Gaza çdo muaj nëpërmjet këtyre tuneleve, duke lehtësuar kështu mungesat për popullatën vendase nga bllokada izraelite e vendosur pasi grupi militant Hamas mori pushtetin në Gaza. Pronari i tuneleve Abu Khalil, i cili kërkoi të mos i tregonim fytyrën në kamera, thotë se biznesi i tij është shkatërruar.

“Shumë njerëz kanë mbetur pa punë, duke bërë që shkalla e papunësisë të arrijë nivele shumë të larta, ndërkohë që çmimet e artikujve të ndryshëm janë ngritur shumë”.

Dhjetra mijëra vende pune janë eliminuar. Shumë pika karburanti janë mbyllur. Projektet e ndërtimit janë ndalur. Ujërat e zeza rrjedhin në det sepse uzinat e pastrimit të ujit nuk funksionojnë. Rryma elektrike është e kufizuar. Analistët thonë se mbyllja e tuneleve i ka kushtuar Gazës rreth 300 milion dollarë. Dyqani i ushqimeve i Islam Saluhas është i hapur megjithë këtë bllokadë, por ai thotë se biznesi ka rënë me 70 për qind. Shumica e artikujve të konsumit vijnë nga Izraeli dhe kushtojnë dyfishi. Pasiguria për të ardhmen e bën të vështirë të qëndrosh në biznes.

“Ne blejmë disa prodhime të konsumit javë pas jave, disa të tjera i blejmë çdo ditë, sepse ne kemi frikë se nëse i blejmë me çmim më të lartë dhe çmimi bie, ne humbasim para”.

Egjipti thotë se militantët i përdornin tunelet për të sulmuar forcat e tij në Sinai, akuzë që mohohet nga Hamasi. Udhëheqësi i ri i Egjiptit, Gjenerali Abdel Fattah el-Sissi i shikonte me dyshim lidhjet mes Hamasit dhe ish presidentit islamik të Egjiptit, Mohamed Morsi, thotë profesor Mukhaimar Abu Saada i Universitetit Al-Azhar të Gazës.

“Hamasi është pjesë e organizatës ndërkombëtare Vëllazëria Myslimane. Zoti el-Sissi dhe kolegët e tij po ndiqnin zhvillimin e marrëdhënieve Hamas-Vëllazëria Myslimane gjatë vitit të fundit, kur Morsi ishte në pushtet. Ata nuk ishin të kënaqur me këtë zhvillim”.

Udhëheqësit e Hamasit thonë se po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet me udhëheqësit e rinj të Egjiptit, por kjo mund të marrë kohë. Ndërkohë banorët e Gazës kërkojnë rihapjen e tuneleve ose të tregtisë së ligjshme nëpërmjet pikë-kalimit kufitar të Rafahut.
XS
SM
MD
LG