Lidhje

Lambro: këtë herë fushata elektorale është e pazakontë

  • Laura Konda

Një gazetar konservator me përvojë, i cili ka mbuluar gjatë gjithë karrierës së tij zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara: fushatat elektorale, dhe politikën amerikane, thotë se këtë herë fushata është e pazakontë. Donald Lambro, gazetar i "Washington Times-it", thotë se edhe në të kaluarën janë zhvilluar beteja të mëdha politike, me debate të ashpëra në fushtatat për zgjedhje për presidenciale, por ato janë karakterizuar nga respekti reciprok i rivalëve politikë. Nuk po ndodh kështu në këto zgjedhje, thotë ai, duke patur parasysh rastin e kandidatit republikan Donald Trump. Gazetarin me origjinë shqiptare Donlad Lambro e intervistoi kolegia Laura Konda:

Zëri i Amerikës: Zoti Lambro, ky proces zgjedhor duket shumë i ndryshëm nga ata të mëparshmit, ai është shumë përçarës: kandidati i Partisë Republikane Donald Trump është i vetmi kandidat pranë emërimit të partisë; megjithatë, disa delegatë për në Konventën Republikane thotë se duan t’i ndryshojnë rregullat, për t’i lejuar delegatët të zgjedhin një tjetër person në vend të Trumpit. Mendoni se kjo është e mundur teknikisht?

Donald Lambro: Po, ka një grup relativisht të vogël, por që me sa duket po rritet, që duan t’i ndryshojnë rregullat, duke u thënë delegatëve se ata mund të votojnë në Kuvendin e Republikanëve për kandidatin që do të përfaqësojë partinë në zgjedhjet e nëntorit, duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes. Pra, edhe në se janë delegatë që më parë e kanë mbështetur zotin Trump, ata të mund ta ndryshojnë mendimin. Unë mendoj se ai e ka fituar numrin e duhur të delegatëve, nuk besoj se një grup delegatësh ka për ta ndalur dot atë. Mendoj se ai ka për të qenë i emëruari i pritshëm.

Zëri i Amerikës: Trump ka qenë një forcë përçarëse në Parti. A mendoni se ai e ka dëmtuar Partinë?

Donald Lambro: Jo, kemi patur edhe më parë kandidatë që kanë qenë humbës të mëdhenj: Berry Goldwater në vitin 1964 do të ishte një shembull; ai ishte një senator konservator shumë popullor, por ai nuk mundi të tërheqë shumë përkrahës, për t’u bërë president. Si rezultat, me zgjedhjet, demokratët mundën të sigurojnë më shumë vende të organet ligjvënëse, por në afat të gjatë, ai nuk e dëmtoi dot Partinë Republikane. Pas Berry Goldwater, u zgjodh president republikani Donald Reagani, që gjatë mandatit të tij dytë e nxori ekonominë amerikane nga recesioni i thellë, duke fituar 49 shtet nga 50 shtetet amerikane. Aktualisht Partia Republikane është shumë e fuqishme, ajo kontrollon të dyja dhomat e Kongresit dhe shumicën e guvernatorëve të shteteve, madje edhe në shtete që historikisht kanë votuar pro-demokratëve. Shtrohet pyetja, a do ta dëmtojë ai partinë në zgjedhje? Kjo është e mundur, por zyrtarët e partisë po përpiqen që kjo të mos ndodhë. Edhe në se republikanët i humbin këtë herë zgjedhjet, herën tjetër ata kanë për të nxjerrë një kandidat më të mirë.

Zëri i Amerikës: Kritikë të zotit Trump thonë se komentet e tij për gratë, myslimanët dhe meksikanët nuk përputhen me qëndrimin republikan për këto çështje, duke e bërë atë të papranueshëm si një kandidat që përfaqëson Partinë Republikane. Cili është komenti juaj?

Donald Lambro: Komentet e zotit Trump nuk janë aspak të mençura. Komuniteti hispanik në vendin tonë është grupi i pakicave që po rriten më me shpejtësi në Amerikë. Ndoshta mbi 11 milionë hispanikë janë pa dokumente, të gjithë imigrantë, që kërkojnë punë. Propozimi i tij është të ndërtojë një mur betoni gjigand, mbi 6 metra të lartë, që kushton miliarda dollarë, por që në fakt nuk ka për t’u ndërtuar kurrë. Ai thotë se do të deportojë 11 milionë njerëz: fëmijë, të moshuar e të tjerë, me anën e një force policore masive. Kjo nuk ka për të ndodhur, ngaqë Kongresi nuk ka për ta lejuar një gjë të tillë. 90 për qind e hispanikëve të anketuar janë kundër zotit Trump dhe ata mbështesin zonjën Clinton.

Zëri i Amerikës: Në se Trump fiton zgjedhjet, a priten ndryshime madhore në polikën e jashtme amerikane? Kam parasysh komentet që ai ka bërë për Rusinë dhe zotin Putin…

Donald Lambro: Nuk ka dyshime për këtë; ai ndjehet shumë komod me zotin Putin, ai nuk ka shprehur kurrë shqetësim për pushtimin e Krimesë nga Putini, ai nuk është shprehur asnjëherë negativisht për zotin Putin; kjo është shqetësuese. Ai do që Japonia, apo vende të tjera aleate me ne të kenë armë bërthamore; politika amerikane ka qenë moslejimi i përhapjes së armëve bërthamore dhe tani ai është duke nxitur përhapjen e armëve bërthamore. Kjo është e frikshme. Ai flet për tërheqjen nga NATO, që e ka mbrojtur Europën dhe e ka ruajtur lirinë e saj për më tepër se gjysëm shekulli. Shtypi i huaj ka shkruar për këto komente të zotit Trump, ai i ka frikësuar aleatët tanë. Kjo mund ta dëmtojë shumë vendin tonë.

Zëri i Amerikës: Në njërin prej artikujve tuaj të botuar kohët e fundit në gazetën “Washington Times”, ju thoni se Donald Trump nuk e flet për ekonominë, për të cilën shqetësohen më shumë votuesit. Përse mendoni se Trump nuk e luan më tepër kartën e ekonomisë?

Donald Lambro: Ai bën komente si “Kam për të krijuar shumë vende pune”, por si ka për ta realizuar ai këtë? Ekzistojnë mënyra për ta bërë këtë. Presidenti Kennedy psh uli takstat; Bill Clinton uli taksën mbi vlerën e fitimit, Presidenti Reagan i shkurtoi taksat, po ashtu George W Bush, me synimin për të rimëkëmbur ekonominë. Edhe Trump ka për ta bërë këtë. Në se rritet taksat ndaj importeve çmimet do të trifishohen. Kjo do të shkaktonte një luftë tregtare, do ta dëmtonte shumë ekonominë tonë. Ndoshta edhe ai do t'i uli taksat, por nuk po e thotë këtë. Pikërisht taksat janë dobësia më e madhe e demokratëve, Për 8 vjet ata nuk bënë asgjë për uljen e taksave. Kur erdhi në pushtet Regani, ne patëm rritje ekonomike tremujore, 3,4,5,6 e deri 8 për qind. Nën administratën Obama rritja ekonomike nuk ka arritur asnjëherë në 3 për qind. Ka shumë njerëz të papunë dhe kjo është arsyeja e zemërimit të amerikanëve; për këtë duhet të flasë Donald Trump, por ai nuk e po e bën një gjë të tillë. Ai flet vetëm për suksesin e tij në zgjedhjet paraprake, se sa i zgjuar është, sa i pasur është, flet për meksikanët, myslimanët, por jo për ekonominë, çështjen kryesore. Sipas firmës së anketimeve Gallup, kur i pyesin se cili është shqetësimi i tyre më i madh, ata thonë se janë vendet e punës dhe ekonomia. Imigracioni vjen më pas. Edhe Trump duhet të flasë pikërisht për këto. Kjo është edhe çështja më e dobët për demokratët dhe për rivalen e tij Hillary Clinton; kjo është arsyeja përse republikanët tani kontrollojnë Kongresin. Mostrajtimi i temës së ekonomisë është një gabim i madh i Donald Trumpit dhe në se humb zgjedhjet, mendoj se pikërisht kjo ka për të qenë arsyeja e humbjes së tij.

Zëri i Amerikës: Sipas një ankete kombëtare të kohëve të fundit, zonja Clinton ka më shumë shanse të fitojë se sa Trump. A mendoni se kjo mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm?

Donald Lambro: Vetëm në se Trump do të ndryshojë. Në se ai flet me detaje për ekonominë: se çfarë do të bëjë konkretisht në se zgjidhet President, se do të shkurtojë taksat, do të shtojë dhe fuqizojë investimet, dhe bizneset e vogla, do të zgjerojë biznsete ekzistuese, kjo do të krijojë më shumë mundësira për amerikanët. Zonja Clinton nuk gëzon shumë pupullaritet. Mosmiratimi për Trumpin është 70 për qind, ndërsa për zonjën Clinton është 45 për qind. Tani Clinton udhëheq anketat, ndoshta ajo është alternativa më pak e dëmshme për vendin mendojnë disa. Trump e ka humbur mbështetjen dhe ndoshta do të jetë vonë ta rifitojë atë. Këtë do ta shohim.

XS
SM
MD
LG