Lidhje

Gazi rus dhe Evropa


Çmimet e gazit janë rritur në Evropë nga frika se trazirat mes Rusisë dhe Ukrainës mund të rezultojnë në ndërprerjen e furnizimeve – dhe mundësinë e minimit të mëkëmbjes ekonomike të kontinentit. Por siç njofton nga Londra, Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, kjo nuk është hera e parë që mosmarrëveshje të tilla prekin furnizimin me energji të Evropës dhe kësaj here zyrtarët thonë se janë më të përgatitur.

Një e katërta e gazit që përdor Evropa vjen nga Rusia. Ukraina ndodhet në mes. Kështu që çdo potencial për konflikt rajonal ka një ndikim të drejtpërdrejt në këtë linjë të rëndësishme të furnizimit me energji, thotë Simon Pirani, studiues në Institutin Oxford, në Londër, për Politikat e Energjisë.

“Çmimet janë ngritur në treg gjatë dy ditëve të fundit për shkak të pasigurisë rreth furnizimeve në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë.”

Vetë Ukraina varet nga gazi rus. Firma ruse Gazprom tha se duke filluar nga muaji tjetër do të rrisë koston e gazit që u shet vendeve të tjera. Firma shtetërore ukrainase Naftogaz i detyrohet Gazprom rreth 2 miliardë dollarë.

Komisioneri Evropian për Energjinë Gunther Oettinger tha të martën se BE-ja do të paguajë faturën e Ukrainës për gaz dhe shtoi se nuk ka shqetësime të menjëhershme për furnizimet në Evropë.

“Për momentin, në shtetet anëtare, situata është e mirë. Kemi patur një dimër të butë dhe kapacitetet e magaziminit janë më mirë se viti i kaluar dhe kemi rezerva të mjaftueshme.”

Në vitin 2006 dhe 2009, Rusia ndërpreu furnizimet në Ukrainë për shkak të mosmarrëveshjeve për çmimin duke shkaktuar mungesa të theksuara gazi në Evropë. Dimrat e ftohtë dhe rezervat e ulta rritën ndjeshëm çmimet e gazit.

Evropa është tani më pak e varur tek Ukraina si vend transit për furnizimet me gazin rus. Gazsjellësi North Stream, që u hap në nëntor të vitit 2011, e çon gazin direkt nga Deti Baltik në Gjermani – konsumatori më i madh i gazit rus në Evropë. Përsëri, Simon Pirani:

“Është bërë punë e madhe në Evropën qëndrore dhe lindore si rezultat i mosmarrëveshjes së vitit 2009 kur njerëzit kuptuan se ngërçi Rusi-Ukrainë mund të kishte pasoja.”

Kjo përfshin projektin South Stream, që do të kalojë nën Detin e Zi. Ai do të hyjë në funksionim në vitin 2015 dhe do të arrijë kapacitet të plotë duke plotësuar gati gjysmën e kërkesave në Evropë deri në vitin 2018.

Por armiqësia mes Moskës dhe Evropës po shtohet me dislokimin e trupave ruse në Krime – gjë që Moska e mohon. BE-ja ka kërcënuar me sanksione deri tani të paspecifikuara. Por a do të kundërpërgjigjet Rusia duke ndërprerë gazin për në Evropë? Nuk ka të ngjarë thotë zoti Pirani.

“Gazpromi është një kompani komerciale dhe i duhet të bëjë para duke çuar gazin tek klientët e saj në Evropë.”

Analistët thonë se tensionet e tanishme ka të ngjarë ta bëjnë Evropën të dyfishojë përpjekjet për të gjetur furnizimet të tjera alternative dhe të ulë vartësinë nga Rusia.
XS
SM
MD
LG