Lidhje

Makinat e ushqimeve të dyshimta


Kundërshtarët e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht janë duke fituar terren në legjislaturat shtetërore në mbarë Shtetet e Bashkuara. Aktivistët, të cilët kërkojnë që këto ushqime ta kenë të shkruar këtë fakt në etiketa, këtë vit shënuan fitore në shtetet Konektikat dhe Mejn. Duke u përballur me një reagim të ashpër në rritje nga konsumatorët, prodhuesit e organizmave të modifikuara gjenetikisht janë zotuar të publikojnë një sasi të madhe të dhënash, që ata thonë se do të zbusin shqetësimet rreth sigurisë së tyre. Por, ata po përballen me një kundërshtim energjik nga aktivistë të gatshëm të vazhdojnë debatin si në parlamentet shtetërore, edhe në rrugë.

Duke qarkulluar në rrugët e Uashingtont, ato janë gjysmë perime dhe gjysmë të dyshimta, dhe po bëjnë që njerëz të flasin rreth ushqimeve të modifikuara gjenetikisht.
Bëhet fjalë për Makinat e Ushqimeve të Dyshimta.

Makinat tërhoqën pak njerëz përballë ndërtesës së Kongresit amerikan kohët e fundit, para se të niseshin në një turne përgjatë Amerikës, deri në shtetin e Washingtonit, ku këtë vjeshtë do të votohet për një tjetër ligj mbi etiketimin e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht.

Përbërës që përmbajnë këto organizma gjenden në 80 për qind të ushqimeve në raftet e supermarketeve. Por Nikolas Schiller, një nga aktivistët që drejtojnë Makinat e Ushqimeve të Dyshimta, thotë se pa etiketa është e vështirë t’i dallosh.

“Përbërësi kryesor në këtë produkt (Doritos) është misri. Gjasat janë që të jetë misër i prodhuar me teknologjinë gjenetike. Gjalpi i përdorur ka mundësi të ketë ardhur nga lopë të ushqyera me ushqime të modifikuara gjenetikisht.”

Zoti Schiller mendon se ushqimet e prodhuara në atë mënyrë janë të dëmshme për shëndetin.

"Gjyshërit tanë dhe brezat e mëparshëm nuk hanin këto produkte. Dhe tani po shohim një numër më të lartë problemesh me produktet ushqimore dhe shëndetin. Ata thonë se gjithçka është e sigurtë, por asgjë nuk emërtohet në etiketa, dhe kështu këtë siguri nuk mund ta dallojmë."

Por autoritete shëndetësore, nga Akademia Kombëtare e Shkencave të Shteteve të Bashkuara, deri tek Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë thënë se nuk ka asgjë për t’u frikësuar lidhur me organizmat e modifikuara gjenetikisht.

Autoritetet ligjore amerikane thonë se kompanitë kanë zhvilluar teste të cilat nuk kanë ngritur ndonjë shqetësim.

Por aktivisti Schiller thotë se kompanitë duhet t’i publikojnë rezultatet e atyre testeve, që të mund t’i shohin të gjithë.

"Sa herë që diçka të mbahet e fshehur, njerëzit do të kërkojnë transparencë. Dhe për sa kohë që transparenca nuk arrihet plotësisht, njerëzit do të mendojnë se kemi të bëjmë me diçka të dyshimtë. Ky rast është i dyshimtë."

Cathy Enright drejton organizatën Këshilli për Informacion mbi Bioteknologjinë, që sponsorizohet nga kompanitë prodhuese. Ajo thotë se transparenca do të vendoset së shpejti.

"Na kanë kërkuar që të tregojmë të dhënat që kemi, prandaj, informacioni mbi sigurinë ushqimore do të vihet në dispozicion të publikut."

Ajo thotë se ky informacion së shpejti do të jetë në një faqe të re në internet, e quajtur GMOAnswers.com. Kjo në kuadër të një premtimi të ri për hapje dhe dialog, që zonja Enright thotë se duhet të ishte zhvilluar kohë më parë.

"Duhet të kishim folur në lidhje me këtë që prej dy dekadash."

Por për momentin, organizmat e modifikuara gjenetikisht shihen si të dyshimta nga një numër në rritje njerëzish. Dhe industrisë së këtyre ushqimeve i mbetet shumë punë për të bërë.

XS
SM
MD
LG