Lidhje

Tiranë, kreu i bankës komenton gjendjen e sektorit bankar


Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) sapo ka publikuar Raportin e Tranzicionit, në qendër të të cilit është krijimi i një modeli të ri financimi për vendet në tranzicion.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot se Banka po nxit kreditimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar.

Sipas tij, kriza ekonomike dhe financiare botërore la gjurmë në zhvillimin e vendit kryesisht në ngadalësimin e investimeve në ndërtime, në makineri, pajisje dhe infrastrukturë.

Niveli i stokut të kapitalit për banor në Shqipëri është sa rreth 40 për qind e mesatares për eurozonën, pohojnë vëzhguesit.

Ky nivel kapitali është i pamjaftueshëm për të mbështetur standardin e jetesës aq sa vendet e eurozonës.

“Sektori bankar në Shqipëri ka në pronësi të tij mbi 90 për qind të financave të përgjithshme. Kredia bankare pati një rritje të shpejtë në 2004-2008, nga 8 për qind në 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, aq sa është edhe tani. Kreditimi pati një euroizim të fortë para krizës, kur tre nga katër kredi ishin në valutë. Më pas kreditë në lekë arritën rreth 40 për qind. Kreditë e këqija u rritën shpejt pas krizës deri 25 për qind e totalit në vitin 2014 dhe aktualisht po bien” - tha guvernatori Sejko.

Sistemi bankar në Shqipëri bazohet në burimet e brendshme të financimit.

Raporti i kredive me depozitave është rreth 50 për qind dhe sektori bankar ka likuiditet të lartë sidomos në valutë.

Ky tipar, pohojnë ekspertët bankarë, e ka mbrojtur Shqipërinë nga luhatjet e flukseve financiare botërore.

Investimet në Shqipëri janë kryesisht të huaja, pas krizës janë rreth nivelit 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kanë zbutur ndjeshëm ngadalësimit të kredisë bankare.

Nga ana tjetër, Shqipëria po rrit kursimet e brendshme me reformën e sistemit të pensioneve, me reformën e sektorit energjetik, me uljen e subvencioneve të tij fiskale, dhe rënien e borxhit publik.

Banka e Shqipërisë ka nxitur kërkesën dhe ofertën për kredi me qëllim që të ulen koston e financimit, të ulen dhe ristrukturohen kreditë.

BERZH-i ka investime në fusha kyçe të ekonomisë shqiptare në rreth 940 milionë euro në 70 projekte në infrastrukturë, energji, industri, tregti dhe agrobiznes.

Raporti i Tranzicionit i saj për vitet 2015-2016 theksoi se ekonomitë në tranzicion vazhdojnë me ritme të zbehta rritjeje edhe sot shtatë vjet nga fillimi i krizës.

“Rigjallërimi ekonomik pas krizës së fundit financiare vazhdon të pengohet nga ecuria e dobët e kreditit bankar dhe mungesa e alternativave të financimit” - shtoi raporti, ku propozimi kryesor për zgjidhjen e këtij ngërçi është zgjerimi dhe përmirësimi i sistemit financiar.

Sipas raportit të BERZH-it, vendet në tranzicion kanë pasur një ngadalësim të dukshëm të ritmit të investimeve.

Rritja e investimeve në vendet në tranzicion, thuhet në raport, vazhdon të frenohet nga mungesa e burimeve të financimit, oferta për kredi bankare shfaqet e reduktuar, prej ndryshimeve strukturore të sektorit bankar europian dhe si pasojë e problemeve të trashëguara në sistemet financiare të vendeve në tranzicion.

“Ekonomitë e rajonit kanë sisteme financiare të dominuara nga sektori bankar. Kjo strukturë financiare ndihmoi kanalizimin e kursimeve të huaja në kredi lokale, por ky proces u shoqërua me një shkallë të lartë euroizimi në periudhën para krizës dhe me rritje të shpejtë të kredive me probleme pas saj. Oferta e kredisë u tkurr ndjeshëm në periudhën pas krizës” - theksoi raporti i BERZH-it.

Mjedisi i ri rregullator në Bashkimin Europian, thuhet në raport, niveli i lartë i euroizimit dhe rritja e shpejtë e kredive me probleme, dëmtuan bilancet e sektorit real dhe financiar të ekonomisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG