Lidhje

Tiranë, 50 vjetori i shkatërrimit të objekteve të kultit


Arqipeshkvia Metropolitane Tiranë-Durrës zhvilloi të mërkurën konferencën “Të kujtojmë për të ndërtuar të ardhmen”, në 50 vjetorin e prishjes së objekteve të kultit të Shqipërisë nga regjimi komunist. Folësit në konferencë e përshkruan sulmin e qeverisë komuniste kundër klerit si një aksionet më të dhunshme ndaj shoqërisë, e cila u nda me forcën e bajonetave nga besimi fetar. Studjuesit treguan mjaft raste pushkatimesh dhe vuajtjesh të klerikëve në hetuesi dhe burgje, me akuza të shpikura nga Sigurimi i Shtetit, për t'u marrë jetën dhe për të ndaluar besimin fetar tek qytetarët.

Drejtues të klerit shqiptar nga të gjitha besimet u mblodhën Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” për të nderuar sakrificat e besimtarëve dhe klerit të dhunuar, vrarë e burgosur gjatë regjimit komunist.

Ipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Xhorxh Frendo foli mbi historinë e besimeve fetare në Shqipëri dhe shkatërrimin e objekteve të kultit nga diktatura komuniste.

Imzot Frendo lexoi në konferencë edhe një poezi të Visar Zhitit, të shkruar në burgun e Spaçit, ku ishte i burgosur në pranverën e vitit 1982

Gazetari i njohur i dosierëve historikë në shtypin shqiptar, Dashnor Kaloçi, tha se nuk ishte aspak e vërtetë që sulmin ndaj kishave dhe xhamiave e nisi rinia e Durrësit, por ishte diktatori Enver Hoxha që urdhëroi me shkrim strukturat shtetërore në të gjithë vendin për të burgosur klerikët dhe për të shkatërruar objektet e kultit.

Pranvera e vitit 1967 është një periudhat më të rënda të regjimit komunist, ku rrëzimi i objekteve fetare shumëshekullore u shoqërua asgjësimin, burgimin dhe torturimin e të gjithë klerikëve dhe ndalimin e plotë të çdo rituali apo veprimtarie fetare për çdo besimtar të thjeshtë.

Vatikani shenjtëroi Nobelisten e Paqes Nënë Tereza shtatorin e kaluar dhe shpalli martirë 38 klerikë shqiptarë për sakrificat e tyre në shërbim të njerëzimit.

Por jo më pak kanë vuajtur edhe klerikët dhe besimtarët e feve të tjera, të cilët u vranë e u burgosën njëlloj.

Liritë fetare dhe njerëzore u rivendosën me ardhjen e demokracisë nga fillimi i viteve 90.

Duke lënë mënjanë 45 vitet e regjimit komunist, Shqipëria ka një histori të jashtëzakonshme në kontinent sa i takon harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare mes komuniteteve krishterë, muslimanë e bektashi.


XS
SM
MD
LG