Lidhje

Gërdeci, Apeli ul dënimet


Në Shqipëri gjykata e Apelit vendosi sot të lehtësonte dënimet për të akuzuarit kryesor të tragjedisë së Gërdecit, ku në mars të vitit 2008, si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë të demontimit të municioneve humbën jetën 26 persona dhe u plagosën afër 300 të tjerë.




Ish drejtori i ndërmarrjes shtetërore të eskport importit të armëve Ylli PInari, dënimi ju ul nga 18 vite në 15 vite. Ndërsa pronarit të fabrikës Mihal Delijorgji dhe drejtorit të saj Dritan Minxolli dënimi ju reduktua me një të tretën. Ata ishin dënuar respektivisht me 10 dhe 18 vite burg. Sërish familjarë të viktimave reaguan duke e quajtur të turpshëm vendimin.

Prokuroria e cila apeloi vendimin e një viti më parë të Gjykatës së Tiranës, kishte kërkuar të njëjtat dënime edhe në Gjykatën e Apelit: burgim të përjetshëm për ish drejtorin i Meico-s Ylli Pinari, për pronarin e fabrikës ku kryhej demontimi i municioneve Mihal Delijorgji si dhe drejtorin e asaj fabrike Dritan Minxolli. Ata ishin akuzuar ndër të tjera edhe për vrasje, por gjykata e Apelit ashtu si dhe ajo e shkallës së parë i dënoi sot ata për shkelje të rregullave në pune, shkatërrim të pronës pa dashje apo shpërdorim të detyrës, ndërsa dhe uli dënimin e dhënë më parë. Nga 18 vjet burg, drejtorit të Meicos, Pinari, dënimi ju ul në 15 vjet. Ndërsa për Minxollin i dënuar me dhe Delijorgjin të dënuar me10 vjet burgim, dënimi ju reduktua me një të tretën.

I pandryshuar mbeti vendimi i dënimit me burg për një tjetër ish zyrtar të Meico-s Sokol Gjeci, 10 vite burg si dhe për ish Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, i dënuar me 6 vjet. Të gjithë këta, përvec ish gjeneralit Hoxha, i larguar nga Shqipëria, do të duhet të rikthehen në qeli duke qenë se vendimi i gjykatës së Apelit është I formës së prerë.

Ndryshime pati edhe për disa nga ish gjeneralët e ushtrisë. Shpëtim Spahiu u shpall i pafajshëm ndërsa Zija Bahja, që ishte deklaruar i pafajshëm u dënua tre vite me kusht. Për dy të tjerë mbeti në fuqi vendimi që i dënon por me kusht. Për funksionarët e tjerë të ministrisë së mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim, por të gjitha me kusht, sikundër edhe për tre të tjerë që kishin qenë shpallur të pafajshëm.

Familjarë të viktimave nuk e përmbajtën dot zemëratën për vendimin. “Turp zoti Kryetar, t’ju vijë turp. Njerëz pa shtyllë kurrizore, pa identitet”, ju drejtua trupit gjykues Zamira Durda e cila humbi fëmijën e saj 5 vjecar nga shpërthimi. Ndërsa jashtë ambienteve të Gjykatës Ferizan Durda, bashkëshorti i Zamirës, tha se nuk ka mbetur më asnjë fije besimi te drejtësia: “E kemi humbur ne, ju e gjitha Shqipëria besimin te gjykatat shqiptare. Turp për ata”.

Duke endur për 5 vite në dyert e gjykatave për të kërkuar drejtësi për humbjen e fëmijës së tij, familja Durda ashtu si dhe shumë të tjera do të duhet të presin, sipas të gjitha gjasave edhe Gjykatën e Lartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG