Lidhje

Viktimat e Gërdecit kërkojnë hapjen e procesit ndaj Fatmir Mediut


Ata vlerësojne se sipas tyre ish ministri i Mbrojtjes ishte ndër përgjegjësit kryesor të shpërthimit në mars të vitit 2008

Në Shqipëri famijarë të viktimave të shpërthimit të Gërdecit në mars të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën afër 300 të tjerë, i kërkuan sot prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Lllalla hapjen e procesit ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Zoti Mediu dha dorëheqjen menjëherë pas shpërthimit ndërsa prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të tij. Në përfundim të hetimeve ajo çoi në verën e vitit 2009, dosjen në Gjykatë për nisjen e procesit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por në atë kohë zoti Mediu u rizgjodh deputet duke rifituar imunitetin e për pasojë Gjykata e Lartë e pezulloi procesin.

Prokuroria nuk i bëri parlamentit një kërkesë të dytë. Por në vjeshtën e vitit të shkuar parlamenti votoi heqjen e imunitetit. Ditën e hyrjes në fuqi të këtij ndryshimi, më 26 tetor familjarët e viktimave të Gërdecit i kujtuan prokurores së atëhershme Ina Rama se nuk kishte më pengesë për të kërkuar rihapjen e procesit ndaj zotit Mediu.

Të njejtën gjë ata kërkuan edhe sot nga kryeprokurori i ri, ndërsa vlerësojne se sipas tyre ish ministri i Mbrojtjes ishte ndër përgjegjësit kryesor të shpërthimit në Gërdec.
XS
SM
MD
LG