Lidhje

Libra antikë rikthehen në Itali


Gjermania po i kthen Italisë mbi 500 libra antikë me vlerë të madhe që ishin vjedhur nga bibliotekat italiane rreth tre vjet më parë. Një bibliotekar italian u shpall fajtor për vjedhjen e koleksioneve me vlera të jashtëzakonshme, si p.sh. botimet e para të manualeve shkencore të Galileut dhe të Kopernikut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, njofton se librat u gjendën në një firmë ankandesh në Mynih.

Shumica e librave i përkasin shekujve të 16-të dhe 17-të. Vlera e tyre mendohet të jetë rreth 3 milionë dollarë. Autoritetet gjermane thonë se një firmë ankandesh në qytetin bavarez Mynih ka rënë dakort t’i kthejë librat tek pronarët e ligjshëm italianë.

“Këto libra vijnë nga libraria Girolamini, në qytetin Napoli, të Italisë. Kanë vlerë të madhe dhe prejardhje nga shekujt 15-të deri 17-të. Janë libra shkencorë; disa janë të Galileut dhe të Kopernikut. Kanë vlerë të jashtëzakonshme, dhe janë vjedhur nga libraria përgjatë disa muajsh.”

Prokurori i Napolit, Vincenzo Piscitelli, tha se drejtori i bibliotekës së epokës baroke, Massimo de Caro, u gjet fajtor për vjedhjen dhe është dënuar me burgim.

“Ai pati çaktivizuar sistemet e sigurisë, dhe vepronte gjatë orëve të natës ose ditëve të pushimit, kur stafi nuk ishte në punë, dhe kur ai gjendej vetëm. Ai kishte çelësat, dhe duke qenë se ishte drejtori, mund të vepronte me lirshmëri të plotë.”

Prokuroi tha gjithashtu se ende nuk dihet me siguri përmasa e plotë e vjedhjes.

“Nuk dimë ende se sa libra u vodhën realisht në total. Sidoqoftë duke qenë se janë rikthyer mbi 500 libra, ky është zhvillimi më i rëndësishëm drejt rindërtimit të fondit të librarisë.”

Matematicieni dhe astronomi italian Galileo Galilei dhe ai polak Nikola Koperniku radhiten ndër shkencëtarët më të rëndësishëm të epokës moderne, dhe zbulimet janë të dokumentuara pikërisht në tekstet e vjedhura gjatë vitit 2012. Policia bavareze njoftoi se librat do të paketohen në kuti të posaçme për kthimin në Itali.

XS
SM
MD
LG