Lidhje

Votuesit ndëshkojnë kancelaren Merkel


Në Gjermani, një parti kundër refugjatëve arriti fitore dramatike në zgjedhjet rajonale, fitore që pasqyrojnë zemërimin ndaj politikave të Kancelares Angela Merkel për emigrantët. Ndërkohë, sot, mijëra emigrantë u përballën me shiun dhe të ftohtit në kampin e Idomenit në Greqi pranë kufirit me Maqedoninë.

Partia kundër refugjatëve, Alternative für Deutschland (AFD), ka tronditur skenën politike të Gjermanisë me fitoret e saj të bujshme në zgjedhjet rajonale, duke hyrë për herë të parë në parlamentet e landeve në tre rajone. Analistët i shohin këto rezultate si rrjedhojë e zemërimit ndaj politikave të emigracionit të ndjekura nga Kancelarja Merkel.

"Peizazhi në Gjermani po ndryshon sepse ne kemi tani një parti në krahun e djathtë. Në të kaluarën kemi pasur vetëm partitë e mëdha konservatore, por tani kemi një parti të vogël të djathtë populiste, që është diçka e re për Gjermaninë," thotë analisti Gero Neugebauer.

AfD është një parti që nuk ekzistonte tre vjet më parë, madje vitin e kaluar ishte në prag të shpërbërjes. Dalja në skenë e kësaj partie shkaktoi habi në këto zgjedhje.

"Arsyeja kryesore është politika e migracionit. Nuk ka më kuptim ta shmangim këtë temë. Do të duhet një kohë të gjatë për të sprapsur zhvillimet e gjashtë muajve të fundit. Që nënkupton një ndryshim tektonik të peizazhit politik në Gjermani," thotë Horst Seehofer, kryeministër i Bavarisë.

Në Saksoni-Anhalt të ish-Gjermanisë lindore, kjo parti e lidhur me lëvizjen e ekstremit të djathtë PEGIDA ka fituar 24.4%, sipas sondazheve të para, duke u bërë kështu partia e dytë më e madhe pas CDU-së në pushtet. Fitoret e saj janë të ndjeshme edhe në landet Rheinland-Pfalz dhe Baden-Württemberg.

Edhe Kancelarja Merkel e pranoi se paraqitja e dobët e konservatorëve të saj në zgjedhje ishte një ditë e vështirë për partinë. Por ajo premtoi se do të vazhdojë të ngulë këmbë për një zgjidhje mbarëevropiane të krizës së emigracionit.

"Pa dyshim, ne kemi ne kemi bërë një rrugë të gjatë drejt zgjidhjes së çështjes së emigracionit, por ende nuk kemi një zgjidhje të qëndrueshme. Jam plotësisht e bindur se kemi nevojë për një zgjidhje europiane dhe se kjo kërkon kohë,” tha zonja Merkel.

Ndërkohë, sot, mijëra emigrantë u përballën me një ditë tjetër vuajtjesh në kampin e Idomenit në Greqi. Rreth 12 mijë njerëz janë bllokuar në fushat me baltë midis Greqisë dhe Maqedonisë me shpresën se takimi i nivelit të lartë i BE-së më 17 mars mund të çojë në rihapjen e rrugës së migrimit përmes Ballkanit.

Baris, nga Afganistani, jeton në një tendë të vogël që me vështirësi e mbron nga të ftohtit dhe shiu:

"Kam ndërmend të rri këtu dy-tre ditë deri sa të bëhet takimi. Nëse ata nuk vendosin, do të më duhet të shkoj në Athinë, sepse këtu bën shumë ftohtë.”

Udhëheqësit e BE-së dhe Ankaraja do të takohen për herë të dytë këtë muaj, për të nënshkruar një marrëveshje që synon frenimin e fluksit të emigrimit të paligjshëm nga Turqia në Evropë përmes Greqisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG