Lidhje

Një i vdekur e tre të plagosur në një stacion treni në Gjermani


Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë në një stacion treni në dalje të Munihut.

Policia tha se ka arrestuar një 27 vjeçar në lidhje me sulmin që ndodhi të martën në orën pesë të mëngjesit sipas kohës lokale në qytezën Grafing,rreth 30 kilometra në lindje të Munihut.

Prokurorët thanë se besojnë që sulmuesi "mund të kishte motive islamike". Media lokale citoi dëshmitarët të kenë thënë se sulmuesi brohoriti "Allahu Akbar" (Allahu është i madh", gjatë sulmit.

"Sulmuesi bëri komente në skenën e krimit që lënë të nënkuptohen motivet politike - duket motive islamike", i tha agjencisë së lajmeve AFP, Ken Heidenreich, zëdhënës i zyrës së prokurorit. "Ne ende jemi duke përcaktuar se cfarë komentesh saktësisht ka bërë ai".

Një nga të sulmuarit, një 50 vjeçar, vdiq më pas në spital nga pasojat e plagëve, tha Heidenreich. Emrat e të plagosurve të moshave 43, 55 dhe 58 vjeç, nuk janë bërë të ditur. Po ashtu nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth sulmuesit.

Ky është sulmi i tretë me thikë në Gjermani me motive që duken të jenë "islamike" që nga shtatori i vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG