Lidhje

ISIS-i merr përsipër përgjegjësinë për sulmin në Gjermani


Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, tha se policia ka gjetur një flamur të pikturuar të grupit militant Shteti Islamik në mesin e gjësendeve të 17 vjeçarit që kreu një sulm me sëpatë dhe thikë në një tren në Gjermani të hënën në mbrëmje.

ISIS-i mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në një postim në agjencinë e tij të lajmeve Aamaq, të martën pak pasi u gjet flamuri.

Sipas kësaj agjencie, sulmuesi "ishte anëtar i Shtetit Islamik" dhe kishte planifikuar sulmin pas thirrjeve të grupit për sulme ne vendet perëndimore.

"Autori i sulmit në Gjermani ishte një nga luftëtarët e Shtetit Islamik" shkruan kjo agjenci.

ISIS-i ka marrë përgjegjësinë për disa sulme të kryera në emrin e tij, megjithëse lidhjet ndërmjet tij dhe autorëve të sulmeve janë të paqarta. Nëse ISIS-i qëndron parapa këtij sulmi, kjo do të shënonte herën e parë që grupi vë në shënjestër Gjermaninë.

Dëshmitarët thanë se sulmuesi brohoriti “Allahu akbar" (Zoti është i madh) gjatë sulmit.

Disa persona u plagosën gjatë sulmit përfshirë anëtarët e një familjeje kineze dhe dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Sulmuesi, një afgan 17 vjeçar, u vra nga policia derisa po ikte nga vendi i ngjarjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG