Lidhje

Gjermani, debate për refugjatët


Policia gjermane po heton rreth njoftimeve për incidente që janë përshkruar si një seri sulmesh seksuale në Këln, Hamburg dhe qytete të tjera gjermane, natën e Vitit të Ri, për të cilat akuzohen burra që dukeshin me origjinë nga Lindja e Mesme. Tre të dyshuar janë identifikuar me emër, megjithëse identiteti i tyre nuk është bërë publik. Këto incidente kanë acaruar më tej debatin për refugjatët e ardhur në Evropë:

Qindra njerëz u mblodhën të martën në Këln për të protestuar kundër sulmeve.

“Autorët e këtyre akteve duhen kapur dhe sjellë para drejtësisë. Duhet të merren masa dhe duhet të tregojmë solidaretet – burra, gra, të huaj, kundër dhunës”, - thotë një rpotestuese.

Policia thotë se mbi një mijë burra, shumë prej të cilëve thuhet se ishin nga Lindja e Mesme ose Afrika Veriore, ishin mbledhur para katedrales në natën e Vitit të Ri.

Ata hodhën fishekzjarre në mes të turmës, para se të ndaheshin në grupe dhe të rrethohin gra të pashoqëruara, duke i sulmuar seksualisht apo plaçkitur. Rreth 90 gra janë ankuar në polici.

Sulmet kanë ndezur debatin lidhur me refugjatët. Alexander Marguier i revistës politike Cicero, tha përmes Skype-it nga Berlini se gjermanët po fajësojnë politikat qeveritare për migrimin:

“Duhet të kemi parasysh faktin se kjo s’ka ndodhur më parë. Në një turmë kaq të madhe, në stacionin kryesor të Këlnit dhe në qytete të tjera gjermane nuk e kemi parë këtë gjë. Pra kjo mund të ketë lidhje me politikat e emigracionit”.

Mbi një milion refugjatë u futën në Gjermani në 2015. Qeveria thotë se ka rëndësi që më parë të identifikohen autorët e akteve:

“Dyshimet e përgjithshme kundër refugjatëve, të cilat bazohen në zëra se autorët e akteve dukeshin si persona nga Afrika e Veriut, janë pa vend. Por, nga ana tjetër, nuk mund ta anashkalojmë debatin lidhur me identitetin e këtyre individëve”.

Në rrugët e Këlnit ka frikë dhe konfuzion:

“Nga erdhën 1 mijë vetë? Ata thonë se ishin 1 mijë afrikano-veriorë, të cilët nuk ishin refugjatë. Po nga erdhën, atëherë?”

Në Hamburg, dhjetëra gra u sulmuan po në natën e Vitit të Ri.

Policia po përpiqet të zbulojë nëse sulmet ishin të koordinuara. Ligjvënësi kanë bërë thirrje për deportimin e azil-kërkuesve të përfshirë në këto akte.

XS
SM
MD
LG