Lidhje

Emigrantët dhe sulmet seksuale në Gjermani


Zyrtarët gjermanë thonë se pothuaj të gjithë të dyshuarit e sulmeve ndaj grave në Këln në natën e Vitit të Ri ishin "me origjinë të huaj." Sipas autoriteteve 19 të dyshuar janë aktualisht duke u hetuar, duke përfshirë 14 persona nga Maroku dhe Algjeria. Dhjetë nga të dyshuarit janë azilkërkues, nëntë prej të cilëve mbërritën në Gjermani pas shtatorit të vitit 2015. Ngjarjet e fundit kanë nxitur një debat të ashpër mbi politikat gjermane të emigrimit. Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere bëri thirrje për miratimin e masave më të ashpra për ndëshkimin e autorëve të sulmeve të ndaj grave.

Tensionet janë të larta në Këln ku ka patur njoftime për më shumë se 500 sulme seksuale ndaj grave. Rreth 1,000 persona thuhet se janë përfshirë në sulmet që ndodhën natën e Vitit të Ri, pranë stacionit kryesor të trenit.

Këto incidente ngjallën reagimin e zemëruar të banorëve vendas. Dy pakistanezë dhe një sirian u plagosën të dielën nga protestuesit në Këln. Policia thotë se një grup prej rreth 20 personash sulmuan të dielën vonë gjashtë pakistanezë, dy prej të cilëve u shtruan në spital.

“Fakti se të huajt kanë qenë autorë të dhunës në Këln, natën e vitit të ri nuk duhet të fshihet por kjo gjithashtu nuk duhet të çojë në futjen e të gjithë emigrantëve në një kategori”, tha sot Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, duke shtuar se dhuna është krejtësisht e papranueshme.

“Fyerja e azilkërkuesve duke i quajtur ata “bagëti”, zjarrëveniet në qendrat e strehimit të refugjatëve, etiketimi i politikanëve në pushtet si shkatërrues të Gjermanisë ose tradhëtarë, akuzat ndaj mediave se ato janë gënjeshtare, ngacmimet e grave nga azilkërkuesit, të gjitha këto janë absolutisht të papranueshme”.

Ministri gjerman bëri po ashtu thirrje për miratimin e masave më të ashpra për ndëshkimin e autorëve të sulmeve ndaj grave.

Ministri De Maizere, anëtar i Partisë Kristian Demokrate të kancelares Angela Merkel, tha se ai është duke zhvilluar diskutime konstruktive me kolegun e tij nga partia social demokrate, ministrin gjerman të drejtësisë, Heiko Maas, rreth masave ndëshkuese ndaj autorëve të sulmeve të fundit ndaj grave.

Në Këln dhe qytete të tjera gjermane janë paraqitur rreth 600 ankesa për sulme natën e Vitit të Ri, për të cilat policia dyshon se janë kryer nga azilkërkuesit. Ky zhvillim ka shtuar presionin mbi politikat e kancelares Merkel për emigrantët.

Ndërkohë debateve të kohëve të fundit për mbi 1 milionë emigrantët që hynë në Evropë gjatë vitit 2015, iu shtua edhe Papa Françesku. Në një takim sot me trupin diplomatik të Vatikanit, Papa bëri thirrje që Evropa të ruajë “frymën e saj humane” në trajtimin e çështjes së emigrantëve.

“Vala e migrimit duket se është duke minuar themelet e “shpirtit human” të cilin Evropa gjithmonë e ka dashur dhe e ka mbrojtur. Nuk duhet të humben vlerat dhe parimet e njerëzimit, respekti për dinjtitetin e çdo njeriu, ndihma dhe solidariteti”, tha Papa Françesku.

Sulmet seksuale që dyshohet se janë kryer nga emigrantët e huaj, kanë nxitur një debat të ashpër në Gjermani rreth qëndrimit të vendit për t’i hapur dyert refugjatëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG