Lidhje

Vetëvritet siriani i arrestuar për planifikim sulmi në Gjermani


Autoritetet gjermane thanë se siriani i arrestuar gjatë kësaj jave nën dyshimet për planifikim të një sulmi me bombë, është vetëvrarë të mërkurën mbrëma në qendrën e paraburgimit në Leipzig.

Ministria e Drejtësisë në shtetin e Saksonisë, shpalli vdekjen e 22 vjeçarit Jaber Albakr. Një burim i pakonfirmuar tha se Albakri vari veten. Hollësitë pritet të shpalosen të enjten.

Autoritetet thanë se Albakri, i cili arriti në Gjermani vitin e kaluar, ishte afër që të kryente një sulm të ngjashëm me ato që vranë 130 veta në Paris 11 muaj më parë dhe 32 në Belgjikë në mars të këtij viti.

Albakri ishte nën vëzhgimin e shërbimeve gjermane të zbulimit që nga muaji i kaluar. Autoritetet thanë se besonin që ai kishte lidhje me grupin Shteti Islamik dhe po planifikonte një sulm në aeroportin e Berlinit, mbase gjatë kësaj jave.

Vetëvrasja me siguri do të rrisë trysninë mbi autoritetet e Saksonisë, të cilat tashmë janë kritikuar që lanë Albakrin t'u rrëshqiste nga duart të shtunën derisa po bëheshin gati për një bastisje në apartamentin ku ai po qëndronte në Chemnitz.

Albakri u pa duke u larguar nga ndërtesa. Autoritetet shtinë në ajër duke paralajmëruar, por nuk e ndoqën, duke e lejuar atë që të largohej nga qyteti. Brenda apartamentit, ata gjetën një sasi mjetesh shpërthyese dhe një jelek vetëvrasës.

Ai u kap të hënën pasi që u kërkoi ndihmë disa refugjatëve sirianë, të cilët e njohën nga fotografitë dhe e mbyllën në apartamentin e tyre në Leipzig duke e njoftuar policinë.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, tha se Albakri i ishte nënshtruar një kontrolli të sigurisë vitin e kaluar por nuk ishte gjetur asgjë e dyshimtë.

"Nuk është qartë se kur është radikalizuar ai", tha ministri gjerman.

XS
SM
MD
LG