Lidhje

Policia gjermane arreston sirianin që dyshohej për planifikim të sulmit me bombë


Policia gjermane arrestoi të hënën një burrë nën dyshimet për planifikim të një sulmi me bombë dhe i cili kishte arritur të arratisjes gjatë bastisjeve të së shtunës.

Refugjati sirian 22 vjeçar, Jaber Albakr, u arrestua gjatë natës pas një operacioni të gjerë që përfundoi në Leipzig.

Policia ishte vënë në kërkim të Albakrit pasi që gjeti disa qindra gram mjete shpërthyese në apartamentin e tij në Chemnitz.

Media lokale tha se policia e gjeti Albakrin pasi që një tjetër sirian i njoftoi autoritetet. I dyshuari besohet se ka lidhje me grupet ekstremiste.

Albakri ishte në Gjermani që nga viti 2015, kur edhe zyrtarisht ishte pranuar si refugjat. Ai është me prejardhje nga zona e Damaskut në Siri.

Dyshimet për përfshirjen e refugjatëve sirianë në sulme të mundshme terroriste është një lajm aspak i mirë për kancelaren Angela Merkel, e cila ka humbur mbështetjen e votuesve të së djathtës për shkak të politikës së saj të derës së hapur për migruesit.

Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përsipër sulmin në një tren në muajin korrik në Wuerzburg dhe në një festival muzike në Ansbach, ku të paktën 20 veta qenë plagosur.

XS
SM
MD
LG