Lidhje

Gjykata e Lartë vonon publikimin e vendimeve


Sipas raportit “Transparenca e Botimeve Zyrtare 2011”, Gjykata e Lartë nuk ka botuar ende në Fletoren Zyrtare 6 vendime unifikuese.

Qendra për Çështje të Informimit Publik deklaroi sot se pushteti gjyqësor shqiptar e ka përkeqësuar më tej shpalljen dhe publikimin e vendimeve gjyqësore. Në raportin vjetor të kësaj qendre theksohet se shumë nga vendimet nuk shpallen brenda afateve ligjore, dhe nuk botohen fare ose botohen me vonesë në Fletoren Zyrtare. Sipas raportit “Transparenca e Botimeve Zyrtare 2011”, Gjykata e Lartë nuk ka botuar ende në Fletoren Zyrtare 6 vendime unifikuese qysh nga viti i kaluar, ndërsa 2 prej tyre as nuk janë shpallur ende qysh nga qershori i 2011, duke tejlauar çdo afat ligjor.

"Gjykata e Lartë - thotë drejtuesi i kwsaj Qendre, Gert Shella - ka marrë 13 vendime unifikuese, por më shumë se gjysma e tyre nuk u botuan në Fletoren Zyrtare gjatë vitit 2011. Pjesa tjetër janë botuar pas vonesave të mëdha; një prej vendimeve u mor në 24 janar dhe u botua në 27 dhjetor".

Sipas këtij raporti të transparencës, ndonëse vendimet duhen publikuar brenda 30 ditësh, vonesat në botimin e vendimeve në fletoren zyrtare zgjatin rregullisht nga 4 deri në 6 muaj, dhe kjo mesatare shënon një përkeqësim shqetësues në krahasim me vitin 2010. "Vonesat dhe mosbotimet janë shkelje ligjore - thotë zoti Shella - dhe përgjegjësia mbetet tek gjyqtarët, të cilët shkaktojnë vonesat në shpalljen e vendimeve, duke mos bashkangjitur në to arsyetimin e mendimit të pakicës".

Po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese, për herë të parë në 2011-ën la 3 vendime pa botuar në Fletoren Zyrtare, duke iu bashkuar Gjykatës së Lartë me vonesa e mosbotime. Në raport nuk përfshihet se si është gjendja në gjykatat e shkallëve më të ulta, gjë që mund të kuptohet lehtë sapo të shihen dy gjykatat e mësipërme.

Nga ana tjetër parlamenti dhe qeveria kanë botuar rregullisht çdo ligj dhe vendim, por edhe në administratën publike mbeten pa botuar nga 20-40 për qind të dhjetëra urdhëra dhe udhëzime që lëshojnë ministrat për çështje të ndryshme. Sipas ekspertëve të raportit, gjyqtarë dhe sekretarë institucionesh janë haptas në shpërdorim detyre, duke shkelur të drejtat njerëzore dhe liritë ekonomike e sociale të shtetasve që i lidh puna me gjykata dhe zyra shtetërore.

Ky është i katërti vit që raporti “Transparenca e Botimeve Zyrtare” del për publikun dhe institucionet shtetërore. Fondi Bashkëpunim për Transparencë (PTF) me seli në Uashington mbështeti Qendrën për Çështje të Informimit Publik në përgatitjen e këtij studimi mbi drejtësinë dhe administratën shqiptare.
XS
SM
MD
LG