Lidhje

Përplasje mes presidentit Nishani dhe Mbrojtjes


Shqipëri, cështja e mandatit të përfaqësuesit ushtarak në Nato Kristaq Gërveni. Ministra dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë: I ka mbaruar mandati. Presidenca: Njëanshëmri politike e Shtabit të Përgjithshëm

Në Shqipëri, ministria e Mbrojtjes dhe shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë nga njëra anë dhe Presidenti Bujar Nishani nga ana tjetër, kanë hyrë në një konflikt të hapur lidhur me mandatin e përfaqësuesit ushtarak të Shqipërisë në Nato, Kristaq Gërveni. Ministria i ka kërkuar atij kthimin në atdhe pasi konsideron se atij i ka përfunduar mandati. Të njejtin qëndrim ka mbajtur edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Ndërkohë që sot, presidenca reagoi duke u shprehur se ndërhyrja e Shtabit është një akt i njëanshëm politik.
Shqipëri: Përplasje Presidencë Min. e Mbrojtjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00


Marrëdhëniet mes presidentit Bujar Nishani dhe qeverisë po përjetojnë një periudhë të fortë tensioni, aq sa duket se cdo gjë, pavarësisht përmasave apo peshës, kthehet lehtesisht në një burim konflikti të hapur dhe publik. Një cështje interpretimi, lidhur me mandatin e përfaqësuesit ushtarak të Shqipërisë në Nato Kristaq Gërveni ka provokuar përplasjen e radhës.

Dje ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli sqaroi se: “Kam nxjerrë një urdhër administrativ në mënyrë që gjërat më pas të rrjedhin normalisht, e t’i hapet rruga dikujt tjetër. Presidenti ndërkohë vlerëson situatën. Eshtë i njoftuar për mbarimn e dekretit të presidnetit të mëparshëm dhe mbarimit të kohës fizike të qëndrimit të përfaqësuesit tonë në Nato e besoj se do të procedohet rregullisht edhe në këtë rast”.

Në një intervistë për gazetën Panorama, kundëradmirali Kristaq Gërveni kishte deklarua se ai zbatonte vetëm urdhërat që bazoheshin ligjërisht, duke qenë se sipas tij, emërimi apo shkarkimi ishte kompetencë e presidentit.

Ky qëndrim solli reagimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë i cili saktësonte se urdhëri administrativ i ministres nuk cënonte kompetencat e presidentit, dhe se urdhërat nuk viheshin në diskutim por vetëm zbatoheshin, duke paralajmëruar se në rast të kundërt konsiderohej një shkelje penale.

Por ky pozicion i Shtabit solli sot një reagim publik nga ana e presidnetit Bujar Nishani i cili shprehet “i shqetësuar për përfshirjen e njerëzve me uniformë në debatin politik të ditës”. Sipas këshilltares për media të presidentit Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë “ka bërë një akt që nuk është pjesë e detyrave të tij, ka tejkaluar kompetencat. Është bërë interpret i kompetencave të Presidentit të Republikës, që është absolutisht e palejueshme. Është përfshirë në një debat me dy superiorë, Presidentin e Republikës dhe Qeverinë, çka është një dëmtim i hierarkisë shtetërore. Ka ndikuar në krijimin dhe shtimin e një konfuzioni ndërinstitucional, aq të papranueshëm dhe të dëmshëm, veçanërisht në periudhën që po kalojmë. Ka prodhuar propagandë, që është një akt i pastër i njëanshmërisë politike, i paimagjinueshëm për një institucion ushtarak të një vendi pluralist, për më tepër anëtar i NATO-s”, deklaroi keshilltarja për media e presidentit Brikena Arapaj.

Menjëherë më pas, në media u publikua një letër e kundëradmiralit Gërveni, dërguar ministrisë së Mbrotjes ku ai njeh mbarimin e mandatit të tij në pranverë dhe kërkon mes të tjerash mbështetjen e shtetit shqiptar për kandidaturën e tij për një post civil, në nivel drejtori, në strukturat e Natos.

Konflikti për cështjen Gërveni është i disati në harkun e muajve të fundit, mes presidentit dhe qeverisë, pas përplasjeve për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së lartë, apo edhe lidhur me aktivitetin e shërbimeve sekrete.
XS
SM
MD
LG