Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Afganistan


Rezultatet paraprake të balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar në Afganistan tregojnë se ish-ministri i financave Ashraf Ghani ka një epërsi të madhe ndaj rivalit të tij Abdullah Abdullah, i cili kryesonte në raundin e parë të votimit.

Rezultatet duhej të shpalleshin javën e kaluar, por rinumërimi në gati dy mijë qendra votimi ku dyshimet për manipulime detyruan Komisionin e Pavarur afgan të Zgjedhjeve të shtyjë shpalljen e rezultateve për disa ditë.

Edhe dje, gazetarët u detyruan të prisnin për disa orë para se Shefi i komisionit të zgjedhjeve Ahmad Yousuf Nouristani të shpallte rezultatet paraprake. Ai tha se më shumë se 8 milionë afganë votuan në balotazhin e zgjedhjeve dhe se mbi 56 për qind e votave të numëruara ishin në favor të Ashraf Ghanit ndërsa rivali i tij Abdullah Abdullah mori 44 për qind të votave.

Megjithatë, shefi i komisionit të zgjedhjeve paralajmëroi kundër nxjerrjes së konkluzioneve në këtë fazë.

Zoti Nouristani thotë se "shpallja e rezultateve paraprake nuk do të thotë se kandidati kryesor është fitues", duke shtuar se "hetimet mbi ankesat për manipulim mund të ndryshojnë rezultatin".

Ai e pranoi se ka patur manipulim të votave, duke thënë se edhe "disa guvernatorë dhe zyrtarë të qeverisë" ishin të përfshirë në të. Zoti Nouristani premtoi për një hetim të gjerë përpara shpalljes së rezultateve përfundimtare, që pritet të ndodh më 22 korrik.

Zoti Abdullah refuzon të pranojë rezultatet deri sa Komisioni zgjedhor të zhvlerësojë të gjitha votat "e manipuluara" dhe pretendon se ai ka marrë shumicën e votave "të pastra". Përfaqësuesit e tij po bisedojnë me ekipin e zotit Ghani për të rënë dakord mbi një auditim të plotë të vendvotimeve ku dyshohet se ka patur manipulime. Por me sa duket negociatat kanë dështuar të ulin tensionet politike të shkaktuara nga akuzat e zotit Abdullah për "manipulim të shkallës industriale".

Drejtori i organizatës Rights Watch Organization for Afganistanit, Jandad Spinghar, thotë se nëse dy kandidatët nuk gjejnë një zgjidhje politike paqësore të mosmarrëveshjeve, Afganistani mund të përballet me protesta të dhunshme në ditët e ardhshme.

"Nëse negociatat politike mes të dy kandidatëve përparojnë, ose nëse ata arrijnë marrëveshje mbi ndarjen e pushtetit në të ardhmen, ajo mund të jetë zgjidhja e vetme për të ndaluar konfliktin. Në të kundërtën potenciali për konflikt është shumë më i lartë në situatën e tanishme".

Fituesi i zgjedhjeve do të zëvendësojë presidentin Hamid Karzai, por polemikat politike kanë shuar shpresat për një transferim paqësor të pushtetit nga një qeveri e zgjedhur në një tjetër, i pari në historinë e Afganistanit. Zoti Abdullah pohon se administrata e presidentit Karzai ka luajtur rol në manipulimin e votave në favor të Ghanit, akuza të cilat janë hedhur poshtë nga zyra e presidentit.

Ashraf Ghani, një ish-zyrtar i Bankës Botërore, gjithashtu hodhi poshtë akuzat se epërsia e tij në garë është si rezultat i manipulimit të votave. Ai thotë se dëshiron që procesi demokratik të përfundojë sa më shpejt për t'i dhënë fund pasigurisë politike dhe ekonomike që është duke përfshirë Afganistanin.

Zgjidhja e shpejtë e mosmarrëveshjeve konsiderohet me rëndësi jetike në një kohë kur shumica e trupave të huaja po përgatiten të tërhiqen nga Afganistani deri në fund të vitit, ndërkohë që rebelët talebanë kanë rritur sulmet në mbarë vendin. Një marrëveshje dypalëshe e sigurisë midis Kabulit dhe Uashingtonit po pret firmën e presidentit të ri në Afganistan që do të lejojë qëndrimin e rreth 10 mijë ushtarëve amerikanë në vend deri në fund të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG