Lidhje

Gilani hedh poshtë akuzat e SHBA se Pakistani dështoi në zbulimin e bin-Ladenit

  • Zëri Amerikës

Gilani hedh poshtë akuzat e SHBA se Pakistani dështoi në zbulimin e bin-Ladenit

Gilani hedh poshtë akuzat e SHBA se Pakistani dështoi në zbulimin e bin-Ladenit

Kryeministri i Pakistanit hodhi poshtë thëniet se vrasja e Osama Bin Ladenit nga një sulm i forcave amerikane tregoi se vendi i tij ishte bashkëfajtor, ose jo kompetent, duke e lejuar udhëheqësin e Al Kaidës të fshihet në territorin pakistanez.

Në një fjalim që mbajti sot, Jufus Riza Gilani i cilësoi absurde këto thënie. Ai i quajti shpifje thëniet se autoritetet pakistaneze përfshi agjencinë e zbulimit të vendit, kanë bashkëpunuar me Al–Kaidën. Zoti Gilani vlerësoi forcat ushtarake dhe ato të zbulimit të vendit. Forcat speciale amerikane e vranë Osama Bin Ladenin javën e kaluar pranë qytetit Abotabad.

Kryeministri pakistanez tha se me vrasjen e tij u vu në vend drejtësia. Ai po ashtu fajësoi të gjitha agjencitë botërore të zbulimit, që nuk arritën ta zbulonin vendin ku strehohej Bin Ladeni dhe urdhëroi zhvillimin e një hetimi, se si udhëheqësi i Al Kaidës ka mundur të fshihet në Pakistan.

Grupin e hetuesve do ta drejtojë një gjeneral i ushtrisë pakistaneze. Kryeministri Gilani u tha ligjvënësve se përparësia e vendit të tij është eliminimi i terrorizmit, që i ka kushtuar Pakistanit jetën e rreth 30 mijë njerëzve dhe të 5 mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë. Ai tha se Al Kaida i ka deklaruar luftë Pakistanit.

Zoti Gilani, po ashtu e kritikoi sulmin e forcave amerikane, duke paralajmëruar se veprime të tilla të njëanshme në tokën paksitaneze bartin rrezikun e “pasojave të rënda”. Por ai shtoi se Pakistani i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ai tha se partneriteti mes dy vendeve u shërben interesave reciproke dhe bazohet tek respekti dhe besimi i të dy palëve.

Kryeministri pakistanez i bën këto komente ndërsa anëtarë të partisë kryesore të opozitës në vend, të udhëhequr nga ish-kryeministri Nawaz Sharif, e dënuan operacionin amerikan, si shkelje të sovranitetit të vendit.

XS
SM
MD
LG