Lidhje

Analistët komentojnë fjalën e Z. Rama në parlament


Zoti Gurakuqi thotë se krahasimi i 22 marsit 1992 me 23 qershorin e sivjetëm ishte i papërshtatshëm,

Fjalimi i mbrëmshëm i kryeministrit Rama në parlament për të paraqitur programin qeverisës u prit me kritika nga opozita, e cila braktisi sallën. Përfaqësues të Partisë Demokratike pohuan se fjala e zotit Rama i ngjante më tepër një fjalimi të fushatës zgjedhore se sa paraqitjes së një programi konkret qeverie. Po studiuesit e politikës si e shohin këtë fjalim?



Profesori Romeo Gurakuqi në Institutin e Historisë Bashkëkohore thotë se fjalimi i zotit Rama renditi një seri konceptesh të stilit britanik të qeverisjes, ishte një ligjërim që tregoi angazhim serioz në rindërtimin e shtetit, ligjit, rendit dhe europianizimit të Shqipërisë. Megjithatë, theksoi zoti Gurakuqi, kryeministri nuk foli për reformën konstitucionale, ku do të bazohet ky stil i ri qeverisjeje. Ai thotë se fjalimi i zotit Rama ishte fjalimi i një europianisti të bindur, por mungonin elemente të një distancimi më të qartë me diktaturën komuniste dhe pasojat e saj në Shqipëri.

Zoti Gurakuqi thotë se krahasimi i 22 marsit 1992 me 23 qershorin e sivjetëm ishte i papërshtatshëm, po ashtu si edhe mohimi i disa rezultateve të dukshme në qeverisjen e tetë vjetëve të fundit, por gjithsesi nuk janë shkase të mjaftueshme që opozita të braktiste sallën e parlamentit gjatë fjalimit të kryeministrit.

I këtij mendimi është edhe profesor i shkencave të komunikimit Gilman Bakalli. Sipas tij, fjalimi i parë nuk merrej me detaje por është një fjalim motivues, mobilizues dhe pa fyer askënd ai preku të gjithë problemet e shoqërisë.
Zoti Bakalli thotë se fjalimi preku gjithë temat që shqetësojnë sot Shqipërinë, por ndoshta disa shtresa shoqërore pritën të dëgjonin më qartë premtimet ndaj tyre si të përndjekurit politikë dhe pronarët.

Të dy studiuesit shprehën një optimizëm të matur sa i takon bashkëpunimit në të ardhmen mes pozitës dhe opozitës. Palët kanë bërë disa deklarata për dialog dhe mirëkuptim për disa reforma, megjithatë, sipas tyre, përvoja ka treguar se shpesh palët qëndrojnë në pozita të ngurta e bojkotuese, për të dëmtuar sukseset e njëri tjetrit, duke vënë interesat partiake mbi ato kombëtare.


XS
SM
MD
LG