Lidhje

Gjashtë vjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, autoritetet më të larta të shtetit thanë sot se Kosova është një shtet ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe që respekton të gjitha komunitetet pa dallim etnie apo feje. Këto komente u bënë në shënimin e gjashtë vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila në kohën e miratimit të saj në ditën e sotme të vitit 2008 qe vlerësuar si një nga kushtetutat me të mira.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë këtyre gjashtë viteve është arritur që të shtrihet sovraniteti në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa bëri thirrje për nisjen e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e Forcave të Armatosura.

"Besoj se kjo çështje do të përmbyllet nesër në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Shpresoj dhe bëjë thirrje të gjithë partitë politike të Parlamentit të Kosovës që të kryhen këto ndryshime kushtetuese në një kohë të shpejtë, pasi që tani veç është futur në rendin e ditës së seancës së nesërme të Parlamentit”, tha kryeministri Thaçi.
Ngritja e Forcave të Armatosura të Kosovës nënkupton miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Por, këto ndryshime kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare, të cilat kanë kërkuar hapjen e kushtetutës për të siguruar një përfaqësim të gjerë në institucionet qendrore të Kosovës. Përfaqësuesit politik serbë shpresojnë që të shfrytëzojnë nevojën e institucioneve për miratimin e ligjeve për të cilat kërkohen edhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare për të siguruar si kundërshpërblim vendet e rezervuara.
XS
SM
MD
LG