Lidhje

Gjeli i detit, produkt i një procesi të gjatë përmirësimesh

  • Zulima Palacio

Gjeli i detit, produkt i një procesi të gjatë përmirësimesh

Gjeli i detit, produkt i një procesi të gjatë përmirësimesh

45 milionë gjela deti do të serviren në Shtetet e Bashkuara gjatë Ditës së Falenderimeve. Por shpendi që konsumojmë sot është shumë i ndryshëm nga gjeli i detit që hanin pelegrinët në shekullin e 17. Gjeli i sotëm është më i madh dhe ka më shumë mish të bardhë, si rezultat i studimeve të shumta nga Departamenti i Bujqësisë. Tani shkencëtarët kanë plotësuar sekuencën gjenetike të gjelit të detit.

Këta gjela deti kanë vetëm një ngjashmëri të vogël me gjelin e egër, që hëngrën në darkën e parë të falenderimeve pelegrinët në vitin 1621. Gjelat e dikurshëm nuk peshonin më shumë se 6 kilogramë. Gjelat e sotëm mund të shkojnë deri në 36 kilogramë.

“Gjeli i egër është shumë i vogël krahasuar me të sotmin”.

Xhuli Long kryeson ekipin shkencor për riprodhimin e gjelit të detit në Agjencinë Kërkimore të Departamentit të Bujqësisë.

“Përmes përzgjedhjes natyrore, mbarështuesit e gjelit kanë zgjedhur speciet më të mëdha, më mishtore, prandaj kemi tani shpendë të mëdhenj”.

Kjo përzgjedhje filloi dekada më parë, kur konsumatorët filluan të preferojnë zogjtë më të mëdhenj me më shumë mish të bardhë. Nga vitet 1960, fermat e gjelit të detit filluan mbarështimin artificial të gjelave me më shumë mish të bardhë.

“Të gjithë gjelat në Shtetet e Bashkuara janë produkt i fekondimit artificial që kërkon shumë kohë”.

Fekondimi artificial i gjelave të detit u bë i nevojshëm për shumë arsye. Një prej tyre – produktiviteti. Tjetra ka të bëjë me peshën. Pula e detit është më e vogël dhe mund të peshojë rreth 11 kilogramë. Gjelat janë më të mëdhenj, dhe arrijnë deri në 32 kilogramë. Me krijimin e specieve me gjoks më të madh përmes mbarështimit, u bë e pamundur fekondimi natyral i këtyre gjelave.

“Nëse nuk realizohet fekondimi artificial, industria e mishit të gjelit do të zhduket. Ka vetëm pak raste të fekondimit natyral”.

Murray Bakst është ekspert i riprodhimit të shpendit në Departamentin e Bujqësisë. Ai thotë se gjeli i detit, një burim i mirë proteine, është bërë një industri e suksesshme ndërkombëtare.

“Kjo industri ka aktualisht kapacitete të mëdha inkubacioni. Miliona vezë çelin në inkubacion çdo javë”.

Vetëm brenda një dite, më 25 nëntor, 45 milionë gjela deti do të serviren për darkën e Festës së Falenderimeve. Në mjediset kërkimore të Departamentit të Bujqësisë, inkubatori mund të mbajë qindra vezë. Sue Rosoff është menaxhere e inkubatorit:

“Vezët e gjelit të detit qëndrojnë këtu për 25 ditë dhe në ditën e 25 transferohen në dhomën tjetër ku çelin”.

Para se të kalohen në dhomën tjetër, vezët inspektohen për të parë nëse janë të fekonduara.

“Kjo vezë nuk është zhvilluar, por në këtë tjetrën embrioni është 7 ditësh”.

3 ditë para se të çelin, vezët kalohen në dhomën tjetër. Një nga vezët po thyhet. Një zog gjeli deti sapo ka filluar të dalë nga guacka.

Këta zogj vëzhgohen me kujdes për të analizuar efektivitetin e fekondimit artificial dhe rezistencën e tyre ndaj sëmundjeve. Kohët e fundit Departamenti i Bujqësisë dhe 28 institucione të tjera plotësuan sekuencën gjenetike të gjelit të detit:

“Gjenomi i gjelit të detit është si një hartë gjenetike për këtë shpend”.

Të pajisur me këtë hartë, shkencëtarët mund të na japin në të ardhmen një shpend edhe më të aftë për të ushqyer popullatën e globit.

XS
SM
MD
LG