Lidhje

Gjendet i vdekur në Gjermani dëshmitari në rastin Fatmir Limaj


Gjendet i vdekur në Gjermani dëshmitari në rastin Fatmir Limaj

Gjendet i vdekur në Gjermani dëshmitari në rastin Fatmir Limaj

Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thanë se është gjetur i vdekur, dëshmitari kryesor i prokurorisë në rastin e deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe nëntë personave të tjerë të akuzuar për krime lufte.

Në një njoftim të shkurtër zyrtarët e EULEX-it thanë se Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në një park në Gjermani. "Autoritetet gjermane po kryejnë hetimet e nevojshme për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij", thuhet në njoftim. Por, ata nuk deshën të komentojnë njoftimet e medieve se dëshmitari ka kryer vetëvrasje.

Më 26 korrik një prokuror i EULEX-it, kishte ngritur një aktakuzë kundër zotit Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që, siç thuhet supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Zoti Zogaj, i cili gjatë luftës ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte dërguar në Gjermani si dëshmitar i mbrojtur.

Më 22 shtator, zotit Limaj iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak, pasi që më parë Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë një opinion sipas të cilit deputetët nuk kanë imunitet për veprat e kryera jashtë fushëveprimit të tyre.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

XS
SM
MD
LG