Lidhje

Gjendja e pensionistëve në Kosovë – më e rënda në rajon


Gjendja e pensionistëve në Kosovë – më e rënda në rajon
Gjendja e pensionistëve në Kosovë – më e rënda në rajon

Përfaqësues të organizatave humanitare në Kosovë thonë se pensionistët radhiten në mesin e kategorive më të rrezikuara të popullsisë. Në një tryeze të organizuar nga Forumi për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkufitar, dhe sindikatës së pavarur të pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, u tha se me pensionet që sillen nga 35 deri në 80 euro në muaj, Kosova është e fundit në krahasim me të gjitha Republikat tjera të dala nga ish federata jugosllave. Kryetari i Forumit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkufitar, Sabri Kadriu tha se kjo kategori e popullsisë kërkon trajtim të drejtë.

“Ne nuk dëshirojmë lëmoshë. Jeta e pensionistit është vdekje për së gjalli. Nëse me 35 euro dhe ato 45 euro që merr ndihmë sociale, mund të përballoj një muaj, atëherë le të mendojnë, se kjo nuk është e vërtet dhe kjo nuk duhet të ndodh kështu”, tha zoti Kadriu.

Kosova kishte një fond pensionesh, i cili është tërhequr nga administrata serbe në përfundim të luftës, prandaj pjesëmarrësit e tryezës së sotme kërkuan që kjo çështje të jetë pjesë e bisedimeve me Beogradin të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Fatmir Fehmiu, profesor i të drejtës kushtetuese tha se gjendja aktuale e pensionistëve paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe të dokumenteve në fuqi.

“Pensioni, si e drejtë personale materiale është pronë personale. Ndërsa këtu te ne ajo vlerësohet si diçka e cila është dhuratë e dikurshme e sistemeve të kaluara. Kjo nënkupton shkelje e dinjitetit të njeriut, si bazë për të gjitha të drejtat dhe funksionimin e shtetit në përgjithësi”, tha zoti Fehmiu.

Duke mbështetur kërkesat për ndryshim të gjendjes së pensionistëve, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Pajazit Nushi tërhoqi vëmendjen në qasjen e pensionistëve ndaj proceseve politike në Kosovë.

“Por, duhet theksuar se me të gjitha këto vështirësi serioze të jetës së pensionistëve, pensionistët dhe anëtarët e familjeve tyre jo vetëm që kanë ruajtur dinjitetin njerëzor dhe integritetin moral të personalitetit tyre dhe familjarëve, por asnjëherë nuk kemi pasur reagime agresive ndaj organeve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha zoti Nushi.

Autoritetet kanë paralajmëruar se deri në fund të këtij viti mund të miratohet projektligji për pensionistët sipas të cilit pensionet do të sillen nga 50 deri në 100 euro, një parashikim ky i papranueshëm për pensionistët. Aktualisht vlerësohet se në Kosovë ka mbi 120 mijë pensionistë, mbijetesa e të cilëve vështirë se mund të sigurohet me skemën aktuale të pensioneve.

XS
SM
MD
LG