Lidhje

Gjendja në veriun e Kosovës, gërshetimi i përfitimeve financiare dhe politikës

  • Keida Kostreci

Gjendja në veriun e Kosovës, gërshetimi i përfitimeve financiare dhe politikës

Gjendja në veriun e Kosovës, gërshetimi i përfitimeve financiare dhe politikës

Barrikadat në Veri të Kosovës vazhdojnë të bllokojnë kufirin dhe që nga 25 qershori kur ato u vendosën janë rritur tensionet në rajon. Banorët serbë të Veriut ngulmojnë në mosnjohjen e autoritetit të Kosovës dhe zërat për ndarje ose shkëmbim territoresh janë rishfaqur përsëri. Por ndërlikimi më i madh duket se është aty ku kryqëzohen politika e veshur me petkun e përkatësisë etnike me interesat financiare dhe presionin e bandave kriminale.

Ata që e kanë ndjekur situatën nga afër thonë se e vërteta në një rajon aq të tensionuar është gjithmonë e ndërlikuar.

“Ajo që sheh aty është një biznes kontrabande që ka lulëzuar veçanërisht për naftën. Një nga figurat kryesore sipas autoriteteve të policisë dhe NATO-s është Zvonko Veselinovic (picture of veselinovic) i cili drejton një rrjet personash të armatosur të cilët v[zhgojnë urën, dhe që ndihmuan në vendosjen e barrikadave në postblloqe”.

Dorin Karvahal është gazetare e International Herald Tribune dhe the New York Times-it, e vendosur në Paris. Në një artikull të kohëve të fundit, ajo argumenton se janë përpjekjet për ruajtjen e kësaj kontrabande shumë fitimprurëse që kanë vënë në lëvizje banorët serbë në veri të Kosovës dhe se Veselinovic ështe kreu i këtij rrjeti që i ka organizuar barrikadat.

“Biznesi i tij i kontrabandës sigurisht do të rrezikohej nëse Kosova do të ishte në gjendje të ushtronte masa të reja kontrolli, duke e detyruar që të paguante taksa, gjë që ai nuk e ka bërë që në vitin 2008, sepse Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk kishin inspektuar nga afër kamionët që kalonin sepse po përpiqeshin të shmangnin tensionet”.

Johan von Vresejik, që ishte kryeprokurori i Bashkimit Evropian në Kosovë deri në qershor konfirmon.

“Sipas pikëpamjes sime, hetimeve të mia dhe informacioneve të zbulimit, në thelb të çdo gjëje janë përfitimet e paligjshme sepse ka shumë përfitime financiare (nga kontrabanda) dhe nëse kjo eliminohet edhe orkestruesit dhe ata që do të humbin përfitimet financiare do të kenë probleme”.

Kombinimi i varfërisë në veri të Kosovës, ku papunësia është 75 për qind, mungesës së ligjit dhe qartësisë për autoritetin, ka bërë që të jetë shumë e vështirë të zgjidhet një situatë e tillë.

“Acarimi vjen nga ana serbe por në masë të madhe unë mendoj se janë 25 kriminelë në veri që shfrytëzojnë situatën politike, nën pretekstin e mosnjohjes së Kosovës, që duan të mbrojnë këtë territor ku mungon sundimi i ligjit”.

Sipas gazetares Karvahal njerëzit kanë frikë të flasin kundër rrjetit. Në artikullin e saj, ajo shkruan se Veselinovic ka edhe partnerin e tij shqiptar – më pak të fuqishëm, Mentor Beqiri. Dhe lidhja me politikën është e pashmangshme.

“Ka akuza për aleanca të forta mes zotit Veselinovic the anëtarë të partive lokale, figurave politike lokale në Veri të Mitrovicës. Ata janë të lidhur me njëri tjetrin. Njëra palë jep para për tjetrën për financim partish, sipas akuzave”.

Por ajo shton se zyrtarët më të lartë të Beogradit po ndryshojnë qëndrim pasi duan të vazhdojnë me procesin e kandidimit në Bashkimin Evropian. Zonja Karvahal thotë se zgjidhja varet nga vullneti i shumë palëve për bashkëpunim, por sipas saj ndërkombëtarët i shmangen ndërhyrjes sepse nuk duan që të krijohet një situatë shpërthyese.

“Çështja është që ata përmbahen dhe hezitojnë të ndërhyjnë dhe siç më thanë një numër diplomatësh, gjëja e fundit që ata duan është të shkojnë në Mitrovicë dhe të përpiqen të kapin dikë që ka mbrojtjen e përkrahësve të armatosur dhe të krijojnë një konflikt të hapur”.

Por zoti van Vresejik, nuk e shikon mosndërhyrjen vetëm si çështje vullneti. Ai thotë se KFOR-i si forcë ushtarake nuk ka mandat ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa përsa i përket EULEX-it, ai thotë se nuk ka qasje për shkak të mungesës së juridiksionit dhe pretendimeve territoriale. Por mbi të gjitha:

“Problemi kryesor është i një natyre politike. Përsa kohë që jo të gjitha vendet e Evropës nuk e njohin Kosovën ky problem do të vazhdojë. Nëse të gjitha vendet e njohin atëherë nuk ka më paqartësi”.

Në fakt për shkak të mos njohjes nga pesë vende, u arrit në përfundimin që EULEX ta shihte veriun me status neutral. Zoti van Vresejik thotë se ky është shkaku i defekteve në mision dhe situatës së paqartë. Sipas tij, në këto kushte e vetmja rrugë që duhet ndjekur është që qeveria e Kosovës, të ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese, aq më tepër pasi siç thotë ai as që bëhet më fjalë për ndarje. Por përfaqësuesit politikë të serbëve në veri të Kosovës premtojnë se banorët serbë nuk do të tërhiqen.

“Qytetarët do të qëndrojnë në barrikada dhe në rrugë derisa situata të qetësohet dhe derisa komuniteti ndërkombëtar dhe shqiptarët të heqin dorë nga veprimet e njëanshme dhe derisa të marrim garanci se në vendkalimet kufitare nuk do të ketë polici dhe doganierë të Kosovës”, thotë Krstimir Pantic, drejtues i strukturave të mbështetura nga Beogradi.

Zonja Karvahal mendon ndryshe. Ajo thotë se kjo gjendje nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe mendon se edhe Beogradi e kupton këtë dhe po pret momentin e duhur për të bërë një lëvizje.

E sa për barrikadat?

“Mendoj se autoritetet po shpresojnë që kur të vijë dimri, e ftohta do t’i bëjë njerëzit të largohen”.

XS
SM
MD
LG