Lidhje

Gjeorgjia optimiste për marrëdhëniet me Rusinë


Tetë gushti është një datë që sjell traumë dhe tension në Gjeorgji. Atë ditë, në vitin 2008, nisi lufta mes vendit të vogël të Gjeorgjisë dhe Rusisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brooke bisedoi me kryeministrin e Gjeorgjisë, Bidzina Ivanishvili.

Në prag të përvjetorit të pestë të luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, kryeministri i pasluftës së Gjeorgjisë i ofroi një simbol paqeje fqinjit të madhe në veri.

Duke folur në gjeorgjisht, kryeministri Bidzina Ivanishvili tha se për shkak të “nostalgjisë” ai beson se të dy vendet kanë mundësi t’i përmirësojnë marrëdhëniet diplomatike mes tyre.
Pastaj, ai theu protokollin zyrtar duke iu drejtuar dëgjuesve rusë të Zërit të Amerikës drejtpërdrejtë në rusisht.

Ai premtoi të përdorë të gjitha mundësitë që ka për të përmirësuar marrëdhëniet dhe u shpreh me optimizëm për këtë. Gjatë dhjetë muajve si kreu i qeverisë, ai e bindi Rusinë për t’i dhënë fund ndalimit të importeve të verës dhe ujit gjeorgjian.

Kryeministri Ivanishvili, njeriu më i pasur i Gjeorgjisë, e ndërtoi pasurinë e tij në Rusi. Inrtervista u zhvillua në banesën e tij afër Detit të Zi, një kompleks që përfshin edhe një kopësht zoologjik personal me zebra, pallonj, dhe zogj flamingo rozë.
Gjeorgjia po bëhet gati për përvjetorin e të enjtes të luftës së gushtit 2008, një konflikt që mbaroi me humbjen e forcave gjeorgjiane.

Zemërimi rreth luftës ndihmoi koalicionin “Ëndrra Gjeorgjiane” të zotit Ivanishvili të fitonte zgjedhjet parlamentare të tetorit të shkuar. “Ëndrra Gjeorgjiane” po përqëndrohet për të fituar zgjedhjet presidenciale me 27 tetor.
Pas zgjedhjeve, kryeministri i ri i Gjeorgjisë thotë se ai planifikon të largohet nga politika aktive.

Ai tha se do të japë dorëheqjen si kryeministër para fundit të vitit duke shtuar se angazhimi i tij i ardhshëm politik do të jetë më i vështirë se puna e tij e tanishme: ndërtimi i shoqërisë civile në Gjeorgji, një vend i njohur për ndryshimet radikale të pushtetit.

Ai thotë se pas zgjedhjeve presidenciale të tetorit, presidenti Mikhail Saakashvili do të jetë i mirëpritur nëse dëshiron të qëndrojë në vend, ose mund të largohet nga Gjeorgjia.

Ai tha se nuk do të ketë persekutim politik. Çfarëdolloj persekutimi do të trajtohet nëpër gjykata dhe do të ndodhte “në mënyrën më të hapur dhe transparente.”
Dhjetra ish-zyrtarë nga qeveria e Saakashvilit janë arrestuar që nga ndryshimi i pushtetit tetorin e shkuar.
Kryeministri hodhi poshtë akuzat e perëndimit se qeveria e tij e ushtron drejtësinë në mënyrë të përzgjedhur.

Ai tha se nuk ka drejtësi përzgjedhëse në Gjeorgji sot, vetëm ndreqja e drejtësisë.
Qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Gjeorgjinë se ka ndihmuar Iranin të anashkalojë sanksionet ekonomike duke lejuar iranianët të hapin dhjetëra kompani të rreme. Ai tha se Gjeorgjia i ndjek me përpikmëri sanksionet e miratuara nga Kombet e Bashkuara në përpjekje për të detyruar Iranin të heqë dorë nga programi i prodhimit të bombës bërthamore.

Në qershor Gjeorgjia rivendosi vizat për vizitorët nga Irani.
Ndërkohë që kryeministri gjeorgjian premton të largohet nga posti pas katër muajsh, ai tingëllon si një njeri i cili ka në plan të jetë një forcë politike për vite me rradhë.
XS
SM
MD
LG