Lidhje

Armët origjinale të Skënderbeut erdhën në Tiranë


Armët origjinale të heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti - Skënderbej, u ekspozuan sot për herë të parë në Tiranë pas 500 vjetësh. Mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova vizituan Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë për të parë nga afër shpatën personale të heroit kombëtar dhe përkrenaren e tij, me kokën e dhisë të stilizuar mbi të.



Ato u sollën në muzeun e Tiranës nga muzeu i Vienës në shenjë nderimi për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Muzeu historik i Shqipërisë dhe muzeu historik i Vienës çelën sot bashkarisht në Tiranë ekspozitën “Armët e Skënderbeut në Shqipëri”, dhe kjo është hera e parë pas 5 shekujsh që shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit mbërrijnë në atdhe. Në ceremoninë e rastit morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga Tirana dhe Viena, historianë, studiues dhe qindra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.

Drejtuesit e muzeut që përgatitën ekspozitën e vlerësuan si ngjarje historike kthimin e armëve të heroit kombëtar pas afro 5 shekujsh në atdheun, ku të gjithë krenohen me veprën e tij të bashkimit të shqiptarëve në luftën për liri.

Kryeministri Sali Berisha tha se “shqiptarët e kanë bazuar identitetin e tyre tek gjuha dhe historia, ndaj Skënderbeu është shtylla kryesore e identitetit të tyre kombëtar dhe përfaqësuesi i shpirtit të tyre perëndimor. Duke respektuar fenë e njëri-tjetrit, në historinë e tyre shqiptarët besuan tek Zoti dhe tek Skënderbeu” - tha ai.

Shpata dhe përkrenarja e heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeut ruhen prej dekadash në muzeun e Vienës ku edhe atje janë vizituar nga mijëra shqiptarë dhe studiues. Sjellja e shpatës dhe përkrenares së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu nga muzeu i Vienës për disa javë në Shqipëri është rezultat i bashkëpunimit kulturor midis të dy vendeve dhe shenjë e nderimit të përbashkët për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG